Situata mes Kosovës dhe Serbisë vazhdon të mbetet e tensionuar, dhe kjo për të dërguarin e qeverisë gjermane, Manuel Sarrazin, është e rrezikshme.
“Kjo është arsyeja pse ne po kërkojmë masa shpërshkallëzuese nga pala serbe, por deri diku edhe nga pala kosovare. Ne kemi premtimin e qartë nga Serbia, se nuk do të bëjë ndonjë budallallëk dhe të përfshijë ushtrinë apo policinë serbe në Kosovë. Kështu që ne po shpresojmë që situata do të jetë nën kontroll tani, por duhet të bëjmë hapa më tej me masa shpërshkallëzuese për të mbajtur situatën të qetë dhe për t’u kthyer sërish në një atmosferë produktive”, thotë ai për DW. Gjermania ka shprehur gatishmërinë të dërgojë më shumë trupa dhe tani kjo varet nga partnerët, që të vendosin se cilat kapacitete janë të nevojshme dhe deri në ç’masë dhe se cili është momenti i përshtatshëm.
“Jam i sigurt se një KFOR i fortë nuk është vetëm një sinjal, por mund të ndihmojë edhe për të mbyllur më mirë kufirin për armët që vijnë nga Serbia drejt Kosovës, thotë ai. Nëse tensionet mbeten të larta, rruga drejt BE-së bëhet më e vështirë e kjo rrezikon jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë, por për të gjithë rajonin, sepse njerëzit mund të humbasin shpresën në zhvillimin e rajonit, nëse kthehet dhuna.
Kështu që ne nuk mund ta lejojmë këtë, shton ai. Sa për samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë, ai shpjegoi vlerën e kësaj platforme. Mendoj se çdo tablo ku të gjashtë janë ulur së bashku në tryezë dhe mund të jenë duke u grindur ose jo, por janë ulur së bashku dhe madje bien dakord për përfitimet ekonomike për të gjitha palët duke nënshkruar marrëveshje, janë sinjale pozitive”, u shpreh Sarrazin.
Top Channel