AfD-ja kërcënim për Kosovën/ Partia gjermane kërkon anulimin e njohjes, largimin nga KFOR-i dhe fundin e zgjerimit të BE Vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës u ndërpre përkohësisht pasi Ardian Gola nga LVV-ja u zgjodh nënkryetar me 100 vota, por jo edhe kandidatja e propozuar prej PDK-së, Vlora Çitaku, e cila mori vetëm 44 vota, e shkak për këtë u bë Vetëvendosja.
Kjo e fundit doli me pretendimin se nuk voton persona “që duan ta çojnë vendin në zgjedhje”, por u shpreh e gatshme të votojë për një kandidat tjetër. Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza deklaroi se Vetëvendosja po vazhdon të prodhojë drama dhe kriza.
“Në këtë mënyrë vendi po dëmtohet dhe është futur në një situatë të panjohur deri tani me shumë të panjohura përpara. Dhe kush po dëmtohet? Interesi i vendit. Këtyre nuk është duke iu bërë vonë për rezultatet në PISA, inflacionin, ikjet e njerëzve nga Kosova…prandaj ne do ta dërgojmë rastin në Gjykatën Kushtetuese”, u shpreh Bedri Hamza.
Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës tha gjithashtu se edhe kandidati i saj për nënkryetar, Kujtim Shala, nuk ka mbështetjen e LVV-së. Më herët, Kuvendi vendosi me 71 vota që pesë nënkryetarët të zgjidhen me votim individual dhe jo në grup.
Mosmarrëveshjet mes partive për mënyrën e votimit dhe kandidatët janë kthyer në pengesën e radhës për konstituimin e plotë të parlamentit të Kosovës, që është kusht për formimin e Qeverisë së re dhe nisjen e procedurave për zgjedhjen e presidentit. Afati kushtetues për konstituimin ka skaduar, duke rritur rrezikun e një krize të re institucionale dhe të zgjedhjeve të parakohshme.
Top Channel