Mes bombardimeve që nuk reshtin, Izraeli i bëri thirrje të gjithë banorëve që ndodhen aktualisht në Gaza, rreth 1.1 milionë vetë sipas përllogaritjeve, të zhvendosen brenda 24 orësh në jug të territorit.

“Largohuni për sigurinë dhe mbrojtjen tuaj”, ishte paralajmërimi i ushtrisë izraelite, që shtoi frikën se shteti hebre po përgatit vërtet një ofensivë masive tokësore. Izraeli përgatitet prej disa ditësh për një të tillë, e ka mbledhur me mijëra trupa, artileri të rëndë dhe tanke në kufirin me Gazën. Hamasi nga ana tjetër u bën thirrje banorëve të mos largohen nga shtëpitë e tyre. “Mos ikni, është thjesht propagandë e ushtrisë izraelite”, deklaruan zyrtarë të tij në Gaza. Të gjendur mes dy zjarresh, palestinezët e thjeshtë nuk dinë se nga të shkojnë.

 “Nuk dimë ku të ikim, nuk dimë se cili vend është i sigurt. Kemi kërkuar ndihmën e Kombeve të Bashkuara. Izraeli po kryen masakra kundër civilëve këtu, fëmijët tanë janë nën gërmadha. Nuk kemi as ushqim e as ujë. Jam përpara ndërtesës së OKB-së dhe i them të na përgjigjen: Ku të shkojmë?”, shprehet një banor i Gazës Mohamed Abu Ali.

Zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric u shpreh se “është e pamundur që një zhvendosje e tillë të bëhet pa pasoja të tmerrshme humanitare”. “Ky është kaos, askush nuk e di çfarë të bëjë”, pohoi edhe Inas Hamdan, një zyrtare e Kombeve të Bashkuara për agjencinë e refugjatëve palestinezë në Qytetin Gaza. Ajo shtoi se i gjithë stafi i OKB-së dhe Gaza veriore janë urdhëruar të zhvendosen në jug të qytetit Rafah.

Për zëdhënësen e Kryqit të Kuq në Gaza, Nebal Farsakh, është e pamundur që më shumë se një milion njerëz të zhvendosen në mënyrë të sigurt për kohë kaq të shkurtër. “Harrojeni ushqimin, harrojeni energjinë dhe karburantin. Shqetësimi i vetëm tani është nëse ia del, nëse do të jetosh”, tha ajo, ndërsa shtroi dhe pyetjen se çfarë do të ndodhë me pacientët në spitalet e mbushur plot. Shumë prej mjekëve atje nuk pranojnë të largohen dhe t`i braktisin njerëzit që kanë nevojë për ndihmë.

Më shumë se 1.400 njerëz janë vrarë në Gaza qëkur Izraeli i nisi bombardimet hakmarrëse, sipas zyrtarëve palestinezë. Agjencitë humanitare kanë paralajmëruar se territori po përballet me gjendje të jashtëzakonshme, pasi ushqimi dhe uji po mbarojnë dhe më shumë se 50.000 gra shtatzëna nuk kanë qasje në shërbime themelore.

Hamasi ndërkohë njoftoi se 13 nga 150 pengjet e marrë peng gjatë sulmit të tij në Izrael që mori gjithsej 1300 jetë njerëzish, janë vrarë nga sulmet ajrore izraelite e mes tyre, sipas grupit militant, ka edhe shtetas të huaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA