38.000 të rinj europianë kanë tani mundësinë të fitojnë një biletë falas për të udhëtuar me tren në të gjithë kontinentin, e kjo vlen jo vetëm për ata që vijnë nga vende të bllokut.
Komisioni Europian ka njoftuar fillimin e raundit të ardhshëm të programit të udhëtimit “DiscoverEU”, ku mund të marrin pjesë qytetarët e vendeve të BE-së, si dhe të rinjtë nga Islanda, Lihtenshtajni, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Turqia dhe Serbia. Deri tani nuk ka ndonjë shpjegim pse shtetasit e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor nuk janë përfshirë në këtë projekt.
Të rinjtë mund të aplikojnë për bileta deri më 18 tetor në orën 12:00, njoftoi KE-ja e cituar nga DW. Kushdo që dëshiron të fitojë një biletë falas, fillimisht duhet të demonstrojë njohuritë e tij në një kuiz të shkurtër. Fituesit mund të udhëtojnë nëpër Europë deri në 30 ditë midis 1 marsit 2024 dhe 31 majit 2025. Programi është i dedikuar për të rinjtë e moshës 18 vjeç e lart.
Më saktësisht, të gjithë të lindurit nga 1 janari deri më 31 dhjetor 2005 mund të marrin pjesë. Pjesëmarrësit me aftësi të kufizuara ose probleme shëndetësore mund të marrin një shoqërues me vete.
“DiscoverEU” filloi në vitin 2018 dhe ishte ideja e aktivistëve Vincent-Immanuel Herr dhe Martin Speer. Propozimi i tyre ishte për t’i dhënë çdo qytetari të BE-së një biletë Interrail në ditëlindjen e 18-të, në mënyrë që të njihnin më mirë kontinentin e vjetër.
Top Channel