Termocentrali i Gazës ndalon së punuari! Banorët pa energji elektrike, ujë dhe internet

11/10/2023 15:25

Energjia elektrike është ndërprerë në Gaza pasi stacioni i vetëm i saj i energjisë mbeti pa karburant.

Që nga sulmi i Hamasit në fundjavë, Izraeli ka vendosur një rrethim të Gazës, duke ndërprerë furnizimet e saj me energji elektrike, karburant, ushqim, mallra dhe ujë.

Kjo do të thotë që njerëzit në Gaza do të mbështeten te gjeneratorët për energji elektrike, nëse kanë karburant për t’i përdorur ato.

Banori i Gazës, Kamal Mashharawi foli për BBC pak kohë më parë nga një strehë në bodrum me 45 persona brenda.

“Është shumë e vështirë, nuk kemi ujë, nuk kemi internet, nuk kemi rrymë,” thotë ai.

Fëmijët e tij janë plagosur dhe mushkëritë e tij janë të lënduara. Kamal ka humbur disa anëtarë të familjes së tij, por nuk është në gjendje të kontaktojë me të tjerët sepse interneti është jashtë funksioni.

“Ne u përpoqëm të shkonim në supermarketin më të afërt, por ishte e pasigurt për shkak të shpërthimeve,” thotë ai për Newshour.

Në telefon, Kamal thotë se zemra i rreh teksa kërkon goditjen e radhës, duke menduar “a jam unë personi tjetër?”

“Unë nuk mendoj se civilët meritojnë të vdesin, ata duhet të lihen jashtë konfliktit,” thotë ai.

“Unë nuk mund të fajësoj Hamasin, nuk mund ta fajësoj vërtet Izraelin, por them se ne civilët jemi të prekur. Ne jemi njerëzit që nuk jemi pjesë e këtij konflikti dhe po e shlyejmë atë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA