“Titujt nuk fitohen duke ëndërruar”, Verstappen: Tani nuk ka nevojë të jem më i shpejti

09/10/2023 08:30

Max Verstappen fitoi titullin e tretë botëror në Formula 1 teksa holandezi barazon në këtë kuotë legjenda si Ayrton Senna, Niki Lauda, por edhe Jackie Stewart që në karrierën e tyre kanë fituar po tre tituj botëror.

Në moshën 26-vjeçare e gjashtë ditë, Verstappen u shndërrua në pilotin e dytë më të ri që fiton tre tituj botëror teksa më mirë se ai ka bërë vetëm Sebastian Vettel që në periudhën e tij të artë me Red Bull arriti në kuotën e tre titujve botëror kur ishte në moshën 25-vjeç e katër muaj dhe 22 ditë, një statistikë kjo e regjistruar në vitin 2012. Pasi u shpall zyrtarisht Kampion i Botës për këtë sezon, Verstappen u shpreh mjaft i lumtur ndërsa theksoi se për të, ky ishte sezoni më i mirë në Formula 1.

“Për mua ky është sezoni më i mirë në Formula 1, e pranoj se viti i parë ishte shumë emocionues sepse aty ëndrrat u bënë realitet, por këtë sezon kemi fituar shumë gara dhe makina ishte perfekte. Jam shumë krenar për këtë titull sepse patëm vazhdimësi gjatë sezonit. Kemi arritur rezultate pozitive edhe në kushe të vështira, aty ku edhe të gabish është më e lehtë. Por, në pjesën më të madhe të garave kemi bërë një punë të shkëlqyer.

Unë kam punuar ditë pas dite dhe nuk kam ëndërruar, ëndrrat nuk fitojnë tituj, puna po. Unë dua të vazhdoj dhe të përmirësohem, tani nuk e kam problem të jem piloti më i shpejtë në pistë, tani ka rëndësi edhe eksperienca e fituar. Kjo ndodh sepse rritesh si pilot dhe si njeri. Të gjitha këto të ndihmojnë të përballosh atë tensionin para garave.

A do ta thyejë rekordin e shtatë titujve nga Hamilton dhe Schumacher? Nuk e di, varet nga shumë aspekte. Kam vite në Formula 1, por jam ende i ri, kam edhe disa vite që mund të shfaq më të mirën. Por, është një rrugë e gjatë dhe varet nga objektivat që unë kam”, u shpreh Verstappen. /Supersport

Top Channel