Rasti që shkaktoi polemikë në Itali, shefi i arbitrave shpjegon protokollin kur ka paqartësi

09/10/2023 09:17

Christian Pulisic i dhuroi tre pikë Milanit në transfertë ndaj Genoas teksa amerikani shënoi tre minuta nga fundi i takimit.

Goli në fakt shkaktoi polemika të jashtëzakonshme në Itali duke qenë se pretendohet se sulmuesi e ka prekur topin me dorë para se ta dërgonte në rrjetë. Arbitrat në fushë e akorduan golin, ndërsa më pas ndërhyri VAR.

Gjithsesi, në fund vendimi i marrë në fillim për të lejuar golin nga ana e arbitrit Piccinini u konfirmua. Në lidhje me ndërhyrjen e VAR, foli dizenjatori i arbitrave në Itali, Gianluca Rocchi. Ky i fundit theksoi se në momentin kur ka paqartësi për të marrë një vendim pas ndërhyrjes së VAR, atëherë duhet të vazhdohet gjithnjë me vendimin e parë që merret në fushë, ashtu siç ndodhi edhe në rastin e Milanit.

“Është padyshim një nga ato vendime që ka shumë pikëpyetje, por dua të theksoj se nëse nuk ka një dakordësi në masën 100%, atëherë duhet të vijohet me vendimin e parë që është marrë në fushë. Kur nuk ka siguri për të vërtetën, atëherë vendimi i marrë në momentin e parë duhet të qëndrojë”, tha Rocchi. /Supersport

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA