Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Angelo Michele Ristuccia, ka deklaruar sot se së shpejti në Kosovë do të arrijnë trupa shtesë nga Rumania, përveç përforcimeve të fundit të Britanisë së Madhe.

Në një konferencë lamtumire për mediat në Prishtinë, teksa përfundon mandatin e tij Ristuccia, ka thënë se rritja e numrit të trupave në Kosovë është i domosdoshëm, në mënyrë që KFOR-i të mund ta përmbushë mandatin që ka.

Ai ka paralajmëruar përforcime edhe nga “vendet tjera aleate”.

Ristuccia ka përmendur incidentet e muajve të fundit, kryesisht në veri të Kosovës, dhe ka vlerësuar se të gjitha tregojnë që situata mbetet e paqëndrueshme dhe mund të tensionohet shpejt.

Gjithashtu ai është shprehur që vetëm një zgjidhje politike do të mund të garantojë paqe të qëndrueshme në rajonin e Ballkanit, dhe e ka përsëritur mbështetjen e KFOR-it për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve.

Situata është përshkallëzuar pas sulmeve ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator. Si pasojë e sulmeve është vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku. Në shkëmbim e sipër të zjarrit janë vrarë edhe tre sulmues serbë. Kosova e ka fajësuar Serbinë për sulmin, mirëpo kjo e fundit e ka hedhur poshtë këtë pretendim.

Ai ka thënë se situata tani në Kosovë është më e qetë sesa ditëve të fundit, mirëpo nëse palët nuk ulen për ta negociuar një zgjidhje politike, kjo situatë do të jetë më e cenueshme dhe më e paqëndrueshme sesa ajo paraprake.

“Dy palët duhet të ulen në tavolinë negociuese. Prandaj e mbështesim dialogun. Besojmë plotësisht në përpjekjet diplomatike për ta gjetur një zgjidhje për këtë situatë”, tha Ristuccia. /REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA