Ekskluzive në Top Story/ Vdekja e 3-vjeçarit, mjeku Xhaxho: Fëmija me problem në zemër, duhet t’i bënim patjetër anestezi

05/10/2023 21:33

Mjeku Roland Xhaxho në një intervistë ekskluzive për emisionin Top Story në Top Channel ka reaguar pas vdekjes së 3-vjeçarit.

Arsyeja se përse i është bërë anestezi e plotë sipas mjekut është sepse i mituri kishte problem në zemër dhe ishte bërë operacion dy vite më parë.

Sipas Xhaxhos, djali kishte infeksion në gojë dhe ndërhyrja duhej bërë në të njëjtën kohë për të gjithë dhëmbët.

Xhaxho: Do të doja të shprehja ngushëllimet, unë e kam konsideruar njëlloj si nipërit e mi, unë jam anestezist më shumë se 40 vitesh, detyra ime ka qenë shpëtimi i jetës, duke qenë se janë bërë shumë abuzime, po dal se dua të bëj të njohur si ka ndodhur. Kam ndërhyrë me anestezi të përgjithshme, unë kam firmosur një konsensus me prindërit. Pyetja është përse u zgjodh, fëmija ka lindur me një defekt në zemër, rekomandimi është evidentimi i çdo vatre infeksioni që ka në këto fëmijë, këta me rekomandime të mjekëve të tjerë  janë drejtuar në spitalin tonë. Kishte infeksione që në mënyrë absolute duheshin evituar në një seancë, ne përdorim antibiotikë endovenozë për ta mbrojtur. Unë jam anastezisti më i vjetër që ka kryer një anastezi tek fëmijët, procedura ka qenë sipas mënyrave internacionale. Kemi trajtuar mbi 2000 fëmijë. Fëmija ka dalë nga klinika i zgjuar, ka zgjatur 4 orë, 4 orë e pak. Ai ka dalë i zgjuar dhe në krahët e babait, madje ka kërkuar edhe vëllanë e tij.

Mjeku Xhaxho theksoi se vdekja e 3-vjeçarit nuk lidhet me narkozën, por dyshohet me uljen e nivelit të glukozës, të cilën ai e kishte zero.

Xhaxho: Nuk më ka marrë asnjë familjar në telefon, ma ka bërë të ditur gjyshi, këtë i thash gjyshit, përse e çuat tek Nënë Tereza dhe nuk e çuat këtu, të gjithë më njohin, telefoni im është gjithmonë i hapur, i thashë që do të lidhem me kolegët e mi në QSUT, më thanë lidhu, jam informuar për gjendjen e fëmijës, kam shkuar në informacionin e pediatrisë, u drejtova në mëngjes, ku kam qëndruar në çdo moment duke asistuar kolegët e mi për t’i shpëtuar jetën. Gjendja e tij shëndetësore u përmirësua ndjeshëm në 24 orët e para, por më pas fatkeqësisht është rënduar, pavarësisht përpjekjeve të pafundme. Nuk ka të bëjë fare me narkozën, Sipas analizave, niveli i glukozës ishte 0, kur digjen yndyrat lënë gjurmët në gjak, për mua besoj se do të jetë një sindromë metabolike nga mungesa e ndonjë enzime, të shikojmë se si do të dalin ekzaminimet.

Vdekja e 3-vjeçarit, disa ditë pas ndërhyrjes në dhëmbë në një klinikë private në Tiranë ka tronditur mbarë opinionin publik.

Gjyshi i 3-vjeçarit tha se e çuan tek dentisti vetëm për të pastruar dhëmbët, por pas konsultës, mjeku dhe vajza e tij i sugjeruan operacion dhe prindërit e tij pranuan.

Nga ana tjetër babai i fëmijës 3 vjeçar, Bledar Spahiu ka deklaruar në polici se para tre ditësh ka çuar për mjekim djalin, në një klinikë dentare private në rrugën e Kavajës dhe mjeku Roland Xhaxho i ka bërë anestezi totale për të kryer ndërhyrjen për rregullimin e dhëmbëve.

Pasi ka përfunduar ndërhyrjen, mjeku dentist i ka kërkuar që djalin ta marrë nga klinika dhe ta çojë në banesë, duke i rekomanduar edhe mjekimin që duhet të merrte.

Pasi kanë shkuar në banesë fëmija ka filluar të ndihet keq. Prindërit e shqetësuar kanë marrë klinikën private në telefon por nuk i është përgjigjur njeri. Duke parë gjendjen e fëmijës që po përkeqësohej ata e kanë çuar në spitalin pediatrik, të cilët duke parë gjendjen jo të mirë të fëmijës e kanë dërguar në reanimacion. Me gjithë përpjekjet e mjekëve që ta kthejnë në jetë për dy ditë rresht fëmija ka ndërruar jetë në spital.

Prindërit thonë se djali ka rënë në gjendje kome pas anestezisë. Por priten rezultatet e ekspertizës mjeko ligjore të autopsisë, për të vërtetuar shkakun e ndarjes nga jeta të fëmijës 3-vjeçar të familjes Spahiu.

Top Channel