Gazetari Elton Qyno ka deklaruar se në rast hetimesh, bisedat private mbi familjen apo jetën personale, jashtë aktivitetit kriminal të personave të inkriminuar, mbeten të tilla dhe nuk përfshihen në një çështje penale.

Për “Top Story”, Qyno tha se Prokuroria e Krimeve të Rënda, sot SPAK-u, ka pasur një precedent me rrjedhjen e pamjeve të videos +18 të artistes Inis Gjoni.

“Në çdo telefon, të kujtdo individi po të kontrollosh do të gjesh biseda për punë dhe biseda private.

Sigurisht që edhe në bisedat e hakeruara përmes SKY ECC janë gjetur edhe biseda private të cilat nuk janë futur copy past në një dosje penale. Në fund të fundit ajo është një bisedë private që i takon individit, pavarësisht se çfarë përfaqëson ai nga ana penale apo diçka tjetër. SPAK-u është marrë vetëm me bisedën që ka objekt të hetimit.

Nëse biseda përputhet me ngjarjen dhe veprimet dinamike në terren të vrasjes së Gjin Boriçit apo të vrasjes së një individi tjetër, të përgatitjes së kushteve për të kryer vrasjen e Ibrahim Liçit apo Dorjan Dulit, këto janë biseda që i vlejnë SPAK-ut dhe përthithen tek procedimi 41, sepse ai nuk mund të marrë biseda “shko merr gruan apo fëmijët tek kopshti”… Këto as ne si gazetar nuk i marrim si biseda, edhe pse i konstatojmë në dosjet penale.

Edhe kur prokurorët kanë pasur procedime me përgjime të autorizuara me vendim gjykate, nuk merret biseda e një trafikanti droge dhe të futet e gjitha aty sepse nuk ka sens ajo.

Privacia ruhet. Prokuroria e Krimeve të Rënda, sot SPAK-u, që u përfol edhe për atë videon që zoti Karamuço e përmendi, ka pasur një precedent me rastin e zonjës Gjoni, kur doli një video. U procedua, u bë një gjyq civil dhe edhe sot e kësaj dite nuk u mor vesh se nga ka dalë ajo video, megjithëse ka qenë pikërisht në telefon”- tha Qyno.

Top Channel