Ish-komandanti i lartë i NATO-s, Gjenerali Wesley Clark e sheh si tejet shqetësues incidentin e fundit në veri të Kosovës.

Për njeriun që drejtoi fushatën e bombardimeve të NATO-s kundër forcave serbe në vitin 1999, ky përbën një problem real për qëndrueshmërinë në Ballkan. NATO-ja, theksoi Clark, duhet të forcojë aftësitë e saj për qenë më efikase kudo në Kosovë, ndërsa u shpreh se armatimet ka të ngjarë të kenë ardhur nga Serbia, dhe ndoshta ky ka qenë një veprim i koordinuar ose të paktën i miratuar në heshtje nga forcat speciale serbe, ndërsa nënvizoi dhe rolin në hije të manastireve serbe.

“Para së gjithash, është një tragjedi për të gjitha palët dhe është një problem real për qendrueshmërinë në Ballkan. Duhet të përbëjë shqetësim për Bashkimin Europian dhe NATO-n, ndërsa dalin në pah detajet e incidentit. Ajo që është më shqetësuese për mua është se pas incidentit, rezultoi se kishte një grumbullim të madh armësh në manastirin serb. Kjo ka ndodhur edhe më parë. Ne e dimë nga përvoja e mëparshme në Ballkan në vitet 1990, dhe që atëherë se manastiret serbe kanë qenë strehë e nacionalizmit serb. Dhe kjo nuk e përjashton përdorimin e tyre si arsenale. Ndaj kjo është gjëja më shqetësuese”, tha për VOA Gjenerali Wesley Clark.

Clark theksoi se KFOR-i duhet të insistojë që këto manastire të inspektohen dhe arsenalet të konfiskohen, sepse nuk ka vend për këtë në mes të përpjekjeve për të arritur marrëveshjen e autonomisë për qytetarët serbë të Kosovës. Sipas tij, armatimet ka të ngjarë të kenë ardhur nga Serbia, dhe ndoshta ky ka qenë një veprim i koordinuar ose të paktën i miratuar në heshtje nga forcat speciale serbe.

“Ne i kemi parë këto lloj veprimesh edhe më parë, sepse më kujtohet se gjatë fushatë ose në fillim të fushatës ajrore të vitit 1999 në Kosovë, një grup ushtarësh serbë në rroba civile rrëmbyen tre ushtarë amerikanë të cilët ishin pjesë e patrullës në atë që sot njihet si Maqedonia e Veriut. Ata nuk kishin uniforma ushtarake, por kaluan kufirin dhe rrëmbyen tre ushtarë amerikanë nga makina e patrullës, i rrahën dhe i dërguan në Beograd. Pra, mbetet për t’u parë se kush ishin sulmuesit në pjesën veriore të Kosovës dhe lidhet me forcat speciale dhe qeverinë serbe”, u shpreh Clark.

Veriu, shtoi gjenerali, po i paguan taksa Beogradit dhe fondet vijnë nga Beogradi sikur të ishte një shtet më vete. Por nuk është. Është pjesë e Kosovës. Duhet të jetë pjesë e sistemit të taksave të qeverisë së Kosovës, e nuk është dhe këtu gjendemi një problemi të madh.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA