Dimetridazoli është një medikament që përdoret kryesisht te shpendët, por edhe te kafshët që kanë probleme me mëlçinë dhe parazitët.
Ky ilaç i rrezikshëm të cilin Evropa e ka hequr nga lista e medikamenteve veterinare që në vitin 1995, në vendin tonë shitet fare lehtë.
Kjo në kundërshtim të plotë me ligjin pasi nuk është pjesë e listës së medikamenteve veterinare të miratuar as nga Ministria e Bujqësisë.
Pavarësisht kësaj ai gjendet nën banakun e farmacive të kafshëve ashtu siç e faktoi edhe Fiks Fare . Fuqia e këtij ilaçi është aq e lartë, saqë mund të sjell malformime të fetusit si dhe nxit sëmundjet kancerogjene.
Por çfarë faktoi Fiksi? Gazetarët e emisionit investigativ e blenë këtë medikament në dy farmaci veterinare, njëra në Bubullime të Lushnjës dhe tjetra në Fier Shegan po Lushnje.
Në rastin e parë farmacisti telefonoi djalin pastaj e shiti duke e shkruar edhe në përdorim Dimetridazol.
Po ashtu në farmacinë tjetër shitet dimetridazol, por këtë herë farmacisti thotë se nuk është 100 përqind i tillë por 60 përqind dhe është në ngjyrë gri.
Ai e shet medikamentin dhe në fletën e përdorimit dhe mbi kapakun e ambalazhit shkruan ‘Dimetridazol”.
Gazetarët e Fiksit pasi morën preparatet ne dorë shkuan në dy farmacitë ku u blenë. Në farmacinë e parë ku preparati u shit si 60 përqind dimetridazol, farmacisti u zu ngushtë dhe herë pranonte e herë mohonte të ishte shitur në farmacinë e tij. Ndërkohë djali që e kishte shitur thotë mashtrova blerësin e shkruajta kot dimetridazol.
Në farmacinë e dytë dera është e mbyllur ndaj telefonohet nga gazetarët farmacisti, i cili në telefon pranon se ka shitur medikamentin të cilin e kishte të mbetur për 10 vite. Ndërkohë djali i tij shkon te farmacia dhe pa u prezantuar i zë rrugën grupit të xhirimit të emisionit investigativ.
Ndërkohë që gazetarët presin për një takim farmacisti rimerr gazetarët në telefon dhe ju thotë se ka mamanë shumë sëmurë dhe se nuk i takonte dot.
Por në fakt ishte krejt e kundërta, pasi farmacisti harroi telefonin hapur dhe gjithë familja diskutuan sesi të mohonin shitjen e preparatit. Në planet dhe skenaret e tyre ishte që të shkonin në Tiranë dhe të mohonin shitjen duke thënë se shitën ilaç bimor ose tretraciklinë.
Ajo që është më e rëndësishme është efekti i këtij medikamenti. Profesori Kapllan Sulaj, dekan i Fakultetit të Bioteknologjisë Ushqimore tha për Fiksin se ky preparat lë mbetje toksike në organizmat e kafshëve të cilat shkaktojnë kancer.
“Ky preparat është i ndaluar në të gjitha vendet e BE dhe në Shqipëri, ai ka një rrezikshmëri shumë të madhe te njerëzit , pasi toksinat e tij nuk absorbohen.” thotë Sulaj
Top Channel