Arrestohen katër persona në Kosovë, dyshohen për mashtrim në vlerë prej mbi 1.5 milion eurosh
Mbi gjashtëdhjetë objekte të larta, por edhe të ndërtimit të ulët, janë ndërprerë gjatë këtyre dy viteve nga ana e Inspeksionit në Mitrovicë, për shkak të mungesës së lejes ndërtimore, ndërsa Mitrovica është komuna e parë në vend e cila i ka ndërprerë pothuajse në tërësi ndërtimet pa leje.
Këtë e ka bërë të ditur drejtori i Inspektoratit në komunën e Mitrovicës, Valon Brahimi, teksa thotë se tendenca e disa biznesmenëve të caktuar për të interferuar në Drejtorinë e Inspeksionit është e kotë, sepse inspektorët komunalë janë të pashantazhueshëm, të pathyeshëm dhe nuk i frikësohen askujt.
Ai gjatë një interviste për KosovaPress, tha se puna e inspektorëve është shumëdimensionale dhe shpesh kryejnë punët për të tjerët.
Sipas tij, problemet e shumta të cilat nuk mund të zgjidhen nëpër Drejtoritë tjera, në fund gjejnë trajtim te Drejtoria e Inspeksionit.
Brahimi foli për bashkëpunimin jashtëzakonisht të mirë me policinë, inspektorët e ATK-së, AVUK-ut, por edhe Doganën, në rastet kur pretendohet se ka mall pa deklaracion, ose ka hyrë në mënyrë të kundërligjshme në territorin e Kosovës.
Duke përmendur sfidat në punën e tyre dinamike, Brahimi përveç sektorit të ndërtimit, ku tha se çdoherë ka tendencë të ndërtuesve për anashkalimin e procedurave, potencoi edhe përgjegjësinë e mbrojtjes së konsumatorit në sektorin e tregut, pastaj numrin e vogël të inspektorëve, që si rrjedhojë pamundëson menaxhimin e plotë të rasteve, etj.
Top Channel