Ndërsa John Eastman përgatitej të dorëzohej javën e kaluar tek autoritetet në Xhorxhia i akuzuar për përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 në këtë shtet, ai lëshoi një deklaratë duke denoncuar çështjen penale.
Sipas tij aktadia synonte të vinte në shënjestër avokatët “për shkak të mbrojtjes së zellshme të klientëve të tyre”.
Një tjetër i pandehur, Rudy Giuliani, bëri një deklaratë të ngjashme. Ai tha se ishte paditur sepse kishte kryer punën e tij, si avokat i Donald Trump-it. “Kurrë nuk e kam menduar se do të më padisin për faktin që kam kryer detyrën e avokatit”, tha ai.
Prokurorja e qarkut Fulton, Fani Willis, shfrytëzoi ligjin për “Organizatat e Korruptuara nën Ndikimin e Krimit të Organizuar”, i njohur si ligji ‘RICO’, për të akuzuar zotin Trump dhe 18 të pandehur të tjerë, nën dyshimet për pjesëmarrje në një komplot të gjerë, që synonte përmbysjen e rezultatit të zgjedhjeve të vitit 2020 në këtë shtet.
Mes 18 të pandehurve të akuzuar së bashku me zotin Trump në kontenë Fulton, janë më shumë se gjashtë avokatë. Deklaratat nga zotit Eastman dhe zotit Giuliani duket se janë parathënia e taktikave me të cilat ata synojnë të mbrohen, në një përpjekje për të argumentuar se ata ishin thjesht duke bërë detyrën e tyre si avokatë, kur manovruan në emër të zotit Trump, për të zhbërë rezultatin e zgjedhjeve.
Qasja e dy avokatëve, sugjeron një mundësi për ta kthyer, të paktën një pjesë të ndjekjes penale, në një ‘referendum’ mbi kufijtë e asaj që është etike ose jo në avokati, nisur nga një rast që sërish nxjerr në pah se si janë ngatërruar ndër vite avokatët e zotit Trump, me problemet e tij ligjore.
Por ndërsa avokatët kanë mundësi të gjerë për të hedhur argumente të paprovuara ose jotradicionale, ekspertët thonë se mbrojtja e argumentit “avokatët janë thjesht avokatë”, do të jetë sfiduese për t’u provuar si fituese, në një kohë kur prokurorët mund t’i lidhin drejtpërdrejt ata me skemat kriminale të dyshuara, të cilat paraqiten në aktakuzë. Aty përfshihen përpjekjet për të përcaktuar elektorë të rremë në Xhorxhia dhe shtete të tjera, të cilët do të pohonin në mënyrë të rreme se zoti Trump, dhe jo demokrati Joe Biden, i kishte fituar zgjedhjet.
“Dosjet ligjore janë të mbushura me shembuj të avokatëve që janë përballuar me masa disiplinore lidhur me pretendimet se po përfaqësonin interest e klientëve të tyre“, thotë Barry Richard, i cili përfaqësoi fushatën presidenciale të George W. Bush-it në vitin 2000, kur dhe u zgjodh në Shtëpinë e Bardhë, pas një mosmarrëveshjeje ligjore mbi të cilën vendi Gjykata e Lartë.
“Avokatëve u kërkohet të ndjekin rregulla shumë të rrepta dhe ka disa gjëra që nuk mund t’i bëjnë për klientët e tyre. Ata nuk mund t’i paraqesin gjykatës fakte, që e dinë se nuk janë të vërteta“.
Megjithatë një pyetje më e ndërlikuar është se sa larg mund të shkojnë avokatët në avancimin e teorive ligjore, madje edhe të atyre që nuk gëzojnë një mbështetje të fortë, për të arritur një rezultat të dëshiruar për klientin e tyre, thotë Stephen Saltzburg, profesor i drejtësisë në Universitetin ‘George Washington’ dhe ish-zyrtar i Departamentit të Drejtësisë.
“Avokatia e keqe” në vetvete nuk është një krim, as edhe ‘matja e pulsit’ kur bëhet fjalë për argumente ligjore, thotë ai.
“Pyetja që shtrohet është, se kur e kalon kufirin një avokat, që e di se teoria ligjore që ai po mbështet nuk është pranuar askund kurrë, e megjithatë ai thotë se kjo gjë është në rregull’, thotë Saltzburgu. “Ky është një kufi i paqartë“, shton ai.
Natyrisht, avokatët pritet që siç vuri në dukje edhe zoti Eastman në deklaratën e tij, që të përfaqësojnë me zell klientët – megjithëse ai e ka pranuar në biseda private, se priste që Gjykata e Lartë të hidhte poshtë njëzëri një teori ligjore që ai parashtroi se Nënpresidenti i atëhershëm Mike Pence, kishte të drejtë të refuzonte numërimin e votave elektorale.
Historia e padive lidhur me zgjedhjet është e gjatë, por asnjë nuk është më e famshme se beteja e vitit 2000 në Florida mes demokratit Al Gore dhe zotit Bush. Prokurori Jack Smith, pranoi të njëjtën gjë në aktakuzën e tij federale kundër zotit Trump, duke thënë se ai kishte të drejtë si çdo kandidat, që të ngrinte padi që sfidonte rezultatin e zgjedhjeve apo procedurat por përmes mjeteve ligjore.
Në aktakuzën e Xhorxhias prokurorët pretendojnë se avokatët shkuan përtej mbrojtjes ligjore tradicionale dhe u angazhuan në aktivitete kriminale.
Në aktpadi pretendohet për shembull, se ish-zyrtari i Departamentit të Drejtësisë Jeffrey Clark, i cili i ka hedhur poshtë akuzat, kishte hartuar një dokument që donte t’ua dërgonte zyrtarëve në Xhorxhia, duke pretenduar në mënyrë të rreme se ishin identifikuar manipulime, që mund të kishte ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve në atë shtet.
Po kështu një avokate tjetër, Sidney Powell, akuzohet për komplot për të siguruar qasje në mënyrë të paligjshme tek pajisjet e votimit, në një qark rural në Xhorxhia. /VOA
Top Channel