Zjarr masiv pranë Kishës së Laçit/ Peleshi: Situata, tejet sfiduese! Balla: Emergjencat Civile dhe FA zbarkojnë në terren

22/08/2023 17:07

Një zjarr ka përfshirë faqen e malit në drejtim për te Kisha e Laçit.

50 efektivë të Forcave të Armatosura, helikopteri Cugar dhe dy mjete zjarrëfikëse të FA dhe katër mjete zjarrëfikëse nga MZSH Kamëz, Lezhë dhe Mirditë janë mobilizuar menjëherë për të ndihmuar në shuarjen e zjarrit masiv në bashkinë e Kurbinit.

Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi njofton se situata është tejet sfiduese për shkak të terrenit të vështirë.

“Situata është sfiduese për shkak të terrenit të vështirë, ku zjarri është përhapur shpejtësisht. Zjarri ndodhet shumë pranë banesave, po ashtu rrezikohen dhe varrezat”– shkruan Peleshi.

Nga ana tjetër, ministri i Brendshëm Taulant Balla së bashku me kryebashkiaken e Laçit kanë ndjekur nga afër situatën në terren, ku flakët po përhapen me shpejtësi për shkak të erës së fortë dhe pyllit me pisha.

Ministri Balla njoftoi se Policia ka mundur të identifikojë dhe arrestojë autorin e kësaj zjarrivënie, shtetasin V.H. 41 vjeç.

Zjarret në vend – Në Bashkinë Kurbin, në masivin me pisha pranë qytetit të Laçit, kemi një ndër situatat më të vështira të krijuar nga zjarret gjatë këtij viti. Ndërsa forcat zjarrëfikëse të të gjitha bashkive pranë Kurbinit janë urdhëruar të ndërhynë, edhe Emergiencat Civile, Forcat e Armatosura dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë janë nisur për në Laç. Policia e Shtetit ka ndalur në flagrancë njërin nga autorët e kësaj zjarrivënie (shtetasi V.H. 41 vjeç)”- shkruan Balla.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA