Zjarr në afërsi të Kishës së Laçit, arrestohet zjarrvënësi! Balla në terren, ndjek nga afër situatën

22/08/2023 16:36

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë faqen e malit në drejtim për te Kisha e Laçit.

Zjarri ka pak minuta që është ndezur dhe është përhapur me shpejtësi të madhe nga era e fortë si dhe pishat në anën e malit.

Zjarri është në zonën e kodrës ku ndodhet dhe rruga që të drejton për tek kisha. Janë vën në lëvizje forca zjarrfikse, por kërkohet ndihma nga ajri për shkak të terrenit të thyer.

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla së bashku me kryetaren e pushtetit vendor në Laç kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje për të ndjekur nga afër situatën.

“Po vjen helikopteri tani”- dëgjohet të ketë thënë Balla.

Ndërkaq, policia ka identifikuar autorin e dyshuar të zjarrvënies në Laç si dhe është bërë arrestimi i tij.

“Shërbimet e policisë, pas njoftimit të marrë se në një zonë malore në lagjen nr.4 në Laç, kishte rënë zjarr i cili kishte marrë përmasa duke rrezikuar edhe banesat përreth, menjëherë kanë mbërritur në vendngjarje për tu angazhuar me qëllim fikjen e tij si dhe për të kryer veprimet hetimore për përcaktimin e shkakut.

Si rezultat i veprimeve të shpejta e profesionale hetimore të kryera, ka rezultuar se shkaku i rënies së zjarrit ishte djegia e disa mbeturinave nga shtetasi V. H. 41 vjeç, zjarr i cili duke u favorizuar nga kushtet atmosferike, ka marrë përmasa duke djegur një sipërfaqe masive me bimësi si dhe duke rrezikuar edhe banesat përreth. Shtetasi V. H. u arrestua në flagrancë.

Në vendin e ngjarjes, në bashkëpunim të ngushtë me shërbimin zjarrfikës dhe përfaqësuesit e institucioneve të tjera përgjegjëse, me qëllim fikjen e zjarrit, janë angazhuar shërbimet policore të Komisariatit të Policisë Kurbin, të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, forcat “Shqiponja” si dhe 4 grupe nga FNSH të ardhur në mbështetje. Në krye të këtyre shërbimeve policore të angazhuara, në vendin e ngjarjes, ndodhet edhe Drejtori Vendor i Policisë Lezhë Drejtues Alfred Elezi.

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë apelon për qytetarët që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi ky veprim përbën krim dhe ndëshkohet penalisht, si dhe i fton ata që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast të tillë, me qëllim ndërhyrjen e menjëhershme për shuarjen e flakëve dhe procedimin penal të shtetasve përgjegjës“- thuhet në njoftimin e Policisë.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel