Video/ Me kallashnikov dhe pistoletë në lokal, dy të rinj kërcënojnë dhe dhunojnë një person në Shkodër

10/09/2026 13:12

Një konflikt i nisur pas dhunimit të një të mituri ka përshkallëzuar situatën në një lokal në fshatin Gomsiqe e Re në Shkodër, ku dy të rinj janë shfaqur të armatosur me kallashnikov dhe pistoletë.

Ngjarja ka ndodhur më 6 shtator. Në pamjet e publikuara nga avokati Arben Llangozi, shihet një automjet që ndalon pranë lokalit, ndërsa prej tij zbresin dy persona dhe hyjnë në ambientet e lokalit.

Njëri prej tyre mban në dorë një kallashnikov, ndërsa tjetri është i armatosur me pistoletë. Në video, i riu me kallashnikov shihet duke biseduar me një person brenda lokalit, ndërsa personi tjetër afrohet te një klient jashtë dhe e dhunon.

Pas përplasjes, klienti tenton të largohet, por në një moment i riu me pistoletë ia drejton armën në drejtim të tij. Fatmirësisht, arma nuk është përdorur.

Sipas Policisë së Shkodrës, ngjarja ka nisur pas një konflikti ku dy shtetas dyshohet se kishin dhunuar një të mitur.

Më 6 shtator, dy personat e përfshirë në konflikt kanë shkuar në lokal dhe kanë kanosur me armë dy personat me të cilët ishte konfliktuar i mituri.

Në lidhje me ngjarjen, Policia e Shkodrës ka shpallur në kërkim dy shtetasit, ndërsa tre personat e përfshirë në konflikt, si edhe pronari i lokalit, janë proceduar në gjendje të lirë.

Policia vijon hetimet për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e rolit të secilit prej personave të përfshirë.

Top Channel