Alarm në Detin e Kuq, Houthit synojnë ishullin që kontrollon një nga rrugët më të rëndësishme detare. Rrezikohet tregu botëror i naftës

10/09/2026 13:38

Një ishull i shkretë në ngushticën Bab al-Mandab po merr një rëndësi të jashtëzakonshme gjeopolitike, ndërsa lufta në Jemen po përshkallëzohet dhe rebelët Houthi, të mbështetur nga Irani, synojnë të zgjerojnë kontrollin e tyre në bregun e Detit të Kuq.

Ishulli Perim, i njohur edhe si Mayyun, ndodhet në një nga pikat më strategjike të rrugëve detare botërore. Ngushtica Bab al-Mandab lidh Detin e Kuq me Gjirin e Adenit dhe ndodhet vetëm rreth 20 kilometra nga brigjet e Afrikës dhe Gadishullit Arabik.

Sipas burimeve rajonale të cituara nga CNN, forcat Houthi kanë intensifikuar ofensivën dhe po synojnë qytetin port të Mokës, rreth 80 kilometra në veri të Perimit. Marrja e kontrollit të ishullit do t’u jepte rebelëve një pozicion të rëndësishëm për të kërcënuar anijet që kalojnë përmes kësaj porte natyrore drejt Detit të Kuq.

Një pikë kyçe për tregtinë botërore

Rëndësia e Bab al-Mandabit është rritur edhe më tej për shkak të konfliktit me Iranin dhe ndërprerjeve të transportit përmes ngushticës së Hormuzit. Arabia Saudite ka orientuar një pjesë të eksporteve të saj të naftës drejt Detit të Kuq, duke shmangur rrugët tradicionale përmes Hormuzit.

Por një fushatë e qëndrueshme e Houthive në Bab al-Mandab mund të shkaktojë pasoja të drejtpërdrejta për transportin ndërkombëtar dhe çmimet e energjisë.

Të dhënat e Kpler tregojnë se sasia e naftës së transportuar përmes kësaj rruge është përgjysmuar krahasuar me disa vite më parë. Rreth tre vite më parë, Bab al-Mandab përbënte afërsisht 10% të tregtisë botërore të naftës të transportuar me rrugë detare.

“Tani është çështje gjeopolitike”

Tarik Saleh, zëvendëspresident në qeverinë e njohur ndërkombëtarisht të Jemenit dhe njëkohësisht komandant ushtarak, paralajmëron se kontrolli i ishullit nga Houthit do ta ndryshonte ndjeshëm situatën.

Sipas tij, nëse rebelët marrin Perimin dhe fitojnë kontroll të drejtpërdrejtë mbi Bab al-Mandab, do të nevojitej ndërhyrja e një force të madhe ndërkombëtare dhe e flotave ushtarake për t’i larguar.

“Është gjeopolitike tani”, është shprehur Saleh, duke argumentuar se konflikti i Jemenit nuk mund të shihet më si një luftë thjesht e brendshme.

Houthit dhe Irani

Lufta civile në Jemen nisi në vitin 2014, kur Houthit morën kontrollin e kryeqytetit Sana dhe detyruan qeverinë e njohur ndërkombëtarisht të largohej.

Irani u ka ofruar Houthive armë dhe trajnim, ndërsa grupi ka forcuar ndjeshëm kapacitetet e tij ushtarake. Pas nisjes së luftës në Gaza në vitin 2023, Houthit nisën sulme ndaj Izraelit dhe anijeve tregtare në Detin e Kuq, duke e futur konfliktin jemenas drejtpërdrejt në përplasjen më të gjerë rajonale.

Në muajt e fundit, ofensiva e Houthive kundër forcave qeveritare është intensifikuar, duke kërcënuar edhe marrëveshjen joformale të armëpushimit që kishte zgjatur prej disa vitesh.

Sulmi në portin e Mokës

Qyteti port i Mokës është kthyer në një nga pikat kryesore të përplasjes. Pas një sulmi të fundit me raketa, porti mbeti i mbyllur. Sipas drejtuesit të portit, Abdel Malek Al-Sharaabi, sulmi vrau 16 persona.

Top Channel