Një 26-vjeçar u arrestua nga policia e Durrësit se kanosi me armë zjarri kushëririn e vet. Nga ndërhyrja e policisë u sekuestrua dhe një armë zjarri kallashnikov, 2 krëhëra dhe 54 fishekë luftarak.
I riu nga fshati Jubë i Sukthit qëlloi me kallashnikov në ajër, për të kanosur kushëririn e tij, pas një konflikti për motive të dobëta, ndërmjet tyre.
Pas marrjes së njoftimit se në fshatin Jubë, Durrës, një shtetas kishte qëlluar me armë zjarri në ajër, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Forcën Operacionale, organizuan punën me qëllim arrestimin e autorit.
Si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme në kuadër të operacionit policor të koduar “Kalibri”, u kap dhe u arrestua shtetasi Euron Balla, 26 vjeç, banues në këtë fshat.
Sipas policisë vendore, Balla ka qëlluar me armë zjarri kallashnikov në ajër, për të kanosur kushëririn e tij, shtetasin M. Balla, 63 vjeç, me të cilin ishte konfliktuar për motive të dobëta.
Arma e zjarrit kallashnikov që posedohej pa leje nga 26-vjeçari, 2 krehra dhe 54 fishekë luftarak, u gjetën nga policia dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Ndaj të arrestuarit policia ka ngritur paraprakisht akuzat për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Kanosja” dhe “Prishja e qetësisë publike”, për të cilat do të hetojë më tej prokuroria.
Top Channel