Puçistët e Nigerit zotohen se do ta ndjekin penalisht “për tradhti të lartë” presidentin e rrëzuar

14/08/2023 09:51

Liderët e grusht shtetit në Niger, të cilët e rrëzuan Mohamed Bazoumin, thanë të dielën vonë se do ta ndjekin penalisht presidentin për “tradhti të lartë” dhe për “minimin e sigurisë” së vendit.

Regjimi tha se ka mbledhur prova të cilat do t’i përdorë “për ta ndjekur penalisht presidentin e rrëzuar dhe bashkëpunëtorët e tij vendorë dhe të huaj para trupave [gjykues] kombëtarë dhe ndërkombëtarë për tradhti të lartë dhe për minimin e sigurisë së brendshme dhe jashtme të Nigerit”, sipas një komunikate të lexuar në televizionin kombëtar nga koloneli Amadou Abdramane.

Bazoumi është duke u mbajtur në pallatin presidencial bashkë me të birin dhe bashkëshorten që nga dita e puçit.

Liderët ushtarakë thanë se nuk e kanë uzurpuar pallatin e Bazoumit dhe se ai është ende i lirë të komunikojë me botën e jashtme. Bazoumi është vizituar vazhdimisht nga mjeku i vet, sipas tyre.

“Pas vizitës, mjeku nuk ngriti ndonjë shqetësim rreth gjendjes shëndetësore të presidentit të shkarkuar dhe anëtarëve të familjes së tij”, tha ushtria.

Presidenti i rrëzuar ka thënë se po mbahet “peng”, pa rrymë elektrike dhe se për të ngrënë ka vetëm oriz dhe pasta.

Gjeneralët e ushtrisë reaguan edhe ndaj sanksioneve që vendet e bllokut rajonal të Afrikës Perëndimore, ECOWAS, i vendosën ndaj Nigerit, duke i quajtur ato “të jashtëligjshme, turpëruese dhe çnjerëzore”.

ECOWAS-i ka pezulluar transaksionet financiare dhe komerciale me Nigerin.

Regjimi i Nigerit tha se sanksionet janë duke ia mohuar vendit ushqimin, rrymën dhe medikamentet./ rel

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA