Pas Ilkay Gundogan dhe Riyad Mahrez, Pep Guardiola mund të humbasë një tjetër lojtar të rëndësishëm: Bernardo Silvën.
Portugezi luan me Manchester City prej korrikut të vitit 2017, kur u transferua nga Monaco në “Etihad” për 40 mln euro.
Pavarësisht se ka edhe dy vite kontratë me kampionët e Anglisë dhe të Europës, “xholi” ofensiv kërkon të fillojë një aventurë të re në karrierë. Larg Anglisë.
28-vjeçari nga Lisbona dëshiron të luajë me Barcelonën. Mundo Deportivo raporton se lojtari i kombëtares portugeze po ushtron presion te drejtuesit e Cityt.
Që ta shesin te katalanasit. Xavi e cilëson Bernardo Silvën si zëvendësuesin perfekt të Ousmane Dembele, i cili do të jetë pjesë e PSG-së në vitet e ardhshme.
Por, problemi kryesor lidhet me Guardiolën, pasi trajneri spanjoll nuk ka ndërmend të privohet nga shërbimet e Silvës. Një futbollist të cilin e vlerëson shumë dhe e ka jetik për skemat e tij.
Vetë lojtari luzitan ia ka shprehur Guardiolës në fytyrë vendimin e tij për t’u transferuar te kampionët e Spanjës./Supersport
Top Channel