“Mbajeni shënim datën”, Interi njofton tifozët për miqësoren me Egnatian

05/08/2023 17:46

Egnatia do të zhvillojë një miqësore luksi përballë Interit, skuadrës së famshme italiane dhe nënkampionëve në fuqi të Europës.

Dueli Inter-Egnatia është programuar për datën 13 gusht në stadiumin “Paolo Mazza” (20:00) në Ferrara, Itali.

E veçanta është se impianti i SPAL-it ku do të zbresë në fushë Egnatia, është një nga pesë më të vjetrit në Itali. Teksa për herë të parë ka hapur dyert në 20 shtatorin e vitit 1928.

19 herë kampionët e Italisë, kanë bërë një postim në rrjetet sociale në lidhje me sfidën ndaj skuadrës nga Rrogozhina.

“Mbajeni shënim datën 13 gusht. Skuadra po përgatitet për dy testet e fundit përpara debutimit në kampionat kundër Monzës (19 gusht, 20:45) në ‘San Siro’.

Interi do të zbresë në fushë më 9 gusht përballë Salzburgut në Austri (19:00). Dhe të dielën e 13 gushtit (20:00) në stadiumin ‘Paolo Mazza’ të Ferrarës kundër KS Egnatias, klubit nga Rrogozhina që luan në ligën kryesore të Shqipërisë”.

Ndërkohë, edhe Partizani, skuadra kampione e Shqipërisë, do të luajë një takim miqësor kundër një emri të njohur të Serie A. Romës së Jose Mourinhos.

Miqësorja Partizani-Roma do të zhvillohet në “Air Albania” të shtunën e 12 gushtit. Duke nisur  prej orës 20:00./ Super Sport

Top Channel