Genti Sherifi ishte një emër që ekzistonte deri pak kohë më parë në listën e të kërkuarve të policisë shqiptare, pasi ishte i dyshuari kryesor dhe i dënuar në mungesë për vrasjen e një njeriu dhe plagosjen e një tjetri, në trazirat e vitit 1997 në Tiranë.

Vetëm kohët e fundit hetimet nga shërbimi i bashkëpunimit ndërkombëtar të policisë kriminale, kanë bërë që hetuesit të ndezin dritën jeshile për gjetjen e të dënuarit për vrasje në Shqipëri,  në Itali e pikërisht në Torino.

Dhe dyshimet rezultuan të ishin të vërteta. Ishte pikërisht kështu. Genti Sherifi, 47 vjeç, i dënuar me 13 vjet, 5 muaj e 3 ditë për atë vrasje të vjetër më 26 korrik 2014 nga gjykata e Tiranës, fshihej prej më shumë se 20 vitesh në lagjen “Barriera di Milano” në Torino.

Menjëherë pas vrasjes, para se të largohej nga Shqipëria, ai kishte ndërruar emrin dhe identitetin e tij, duke fshirë çdo gjurmë nga jeta  e mëparshme.

Në Torino, ai kishte ndërtuar një identitet të respektueshëm: babai i dy fëmijëve që ndiqnin shkollën, kishte hapur një kompani rinovimi ndërtesash dhe qëndroi larg telasheve.

Policia shqiptare kërkoi ndihmën e komisariatit të Torinos, e cila bëri kontrolle për indikacionet e raportuara nga kolegët e Tiranës.

Ata identifikuan një shtëpi në lagjen “Barriera di Milano”. Emri në zile nuk përputhej me atë të të arratisurit të njohur nga autoritetet shqiptare, por puna hetimore për identifikimin e tij nuk la vend për dyshime se, njeriu i cili kishte rënë në duart e policisë italiane, ishte pikërisht i shumëkërkuari në Shqipëri për vrasje Genti Sherifi.

Njeriu që dilte çdo mëngjes për të shkuar në punë, që shoqëronte fëmijët në shkollë dhe kthehej në shtëpi në mbrëmje, ishte i njëjti që shfaqej në fotot e të arratisurve të kërkuar në Shqipëri dhe në mbarë Evropën.

Policia që e priste e arrestoi sapo ai u kthye në shtëpi e bindur se e kaluara e tij ishte rikthyer.

Për gati 24 vjet ndryshimi i identitetit e mbrojti dhe ishte i bindur se mund të vazhdonte të jetonte përgjithmonë në hije, larg hetuesve që e ndiqnin.

Hetimet tashmë janë duke u zhvilluar, për të rindërtuar lëvizjet e tij në të gjithë vendin dhe për të sqaruar nëse dikush mund ta ketë ndihmuar atë, në këtë arratisje që zgjati me dekada. Tani e pret ekstradimi për të vuajtur dënimin në Shqipëri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA