Ministri rus “thyen” rregullat, pjesë e ekspozitës së raketave balistike të ndaluara

27/07/2023 08:25

Lideri i Koresë së Veriut, Kim Yong Un, reklamoi raketat balistike të ndaluara, në prezencë të ministrit rus të Mbrojtjes Sergei Shoigu.

Ata kanë ndjekur hap pas hapi të gjithë mjetet ushtarake të vendosura në ekspozitën e armatimeve.

Raketat e shfaqura në ekspozitë janë ndaluar me rezoluta të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, vendim i miratuar nga të gjithë, përfshirë Rusinë dhe Kinën.

Kim Yong Un falënderoi Putinin për dërgimin e delegacionit ushtarak të udhëhequr nga ministri, duke theksuar se vizita ka thelluar marrëdhëniet strategjike dhe tradicionale midis Koresë së Veriut e Rusisë.

Sipas analistëve ky veprim i përfaqësuesit të Rusisë tregon se ata kanë pranuar programin bërthamor të Koresë së Veriut.

Mediat koreane kanë raportuar se ministri rus i dha liderit Kim Yong Un një letër nga presidenti Vladimir Putin.

Dy përfaqësuesit e Rusisë dhe Koresë së Veriut premtuan se do të rrisin lidhjet mes dy vendeve.

Ministri rus së bashku me delegatë të tjerë mbërritën në Korenë e Veriut këtë javë për 70-vjetorin e përfundimit të luftës, ose siç ndihet ndryshe si “Dita e Fitores”.

Për Korenë e Veriut, ardhja e zyrtarëve rusë dhe kinezë shënon hapjen e parë të madhe ndaj botës që nga pandemia e Covid-19.

Top Channel