Të burgosurit nuk do votojnë/ Kreu i KQZ: Pas parregullsive në Rrogozhinë, do përjashtohen

21/07/2023 19:33

122 të burgosurit në Rrogozhinë pritet të mos kenë të drejtën e votës të dielën kur do të përsëritet procesi zgjedhor në këtë bashki.

Pas parregullsive të konstatuara në kutinë e burgut më 14 maj, Kolegji Zgjedhor vendosi shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve, çka sjell sipas kryekomisionerit Ilirjan Celibashi nevojën për përjashtimin e të burgosurve nga lista e zgjedhësve.

Në burgun e Rrogozhinës besoj nuk do të votohet, për shkak të mënyrës si është përgatitur lista e zgjedhësve në mospërputhje me kodin zgjedhor, kolegji zgjedhor i shpalli të pavlefshme zgjedhjet, e me ripërsëritjen e tyre, të burgosurit nuk kanë të drejtë vote”- tha Ilirjan Celibashi.

Gara mes dy kandidatëve, të koalicionit bashkë fitojmë Shkëlqim Hoxhës dhe të partisë socialiste Edison Memollës duket të jetë e fortë, pasi kutia e burgut ishte ajo që vulosi rezultatin në 14 maj, pasi diferenca mes tyre ishte e ngushtë.

Sot është dita e fundit e fushatës në bashkinë e Rrogozhinës, ndaj KQZ ka marr masat për mbarëvajtjen e votimit më 23 korrik, teksa ju bën një thirrje partive politike për të shmangur incidentet.

“Fushata ka shkuar mirë, në KQZ nuk ka pasur shqetësime apo pretendime nga kandidatët, çka është pozitive e  shpresoj që edhe në vijim kështu të vazhdoj i gjithë procesi i votimit, ndaj kërkoj vetëpërmbajtje!”- tha Celibashi.

Celibashi fton banorët e Rrogozhinës të votojnë të dielën, edhe pse shfaqet me pritshmëri të ulëta për pjesëmarrjen.

“I nxis njerëzit të shkojnë të votojnë, por të jemi realist koha kur po përsëriten zgjedhjet nuk është e favorshme sepse është periudhë pushimesh e njerëzit nuk ndërmarrin angazhime politike”- tha Celibashi.

Top Channel