Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha ka zbuluar se në dosjen e kopsitur nga SPAK për Arben Ahmetajn, thuhet se nga sekuestrimi i një aparati Blackberry në vilën e tij në Hamallaj, rezultonte se ish-zyrtari ka tentuar të ndërhyjë tek dy persona, njëri prej tyre ish-zyrtar i një bashkie në Jug të vendit.

Për “Top Story”, Hoxha po ashtu ka deklaruar se krahas dosjes aktuale përmes së cilës SPAK i kërkoi Kuvendit heqjen e imunitetit të deputetit për Arben Ahmetajn, në Prokurorinë e Posaçme ekziston edhe një tjetër dosje ndaj ish-zyrtarit të lartë.

Sipas gazetares, një prokuror i SPAK ka hetuar privatizimin e shoqërisë “Buka”, dhe është në pritje të “dritës jeshile” nga Këshilli i Mandateve, për t’i dërguar një kërkesë Gjykatës së Posaçme për masë sigurie për ish zv.kryeministrin.

Në këtë dosje, Ahmetaj – thotë Hoxha – akuzohet se me firmën tij prej ministri, bëri tjetërsimin e kësaj pasurie.

“Në materialin që përmendi zonja Tabaku ka edhe emra të tjerë mjaft interesant. Në dy raste të tjera madje, Arben Ahmetaj për të ruajtur pikërisht këtë sekretin e madh që ia ka sugjeruar edhe SPAK – duke ia kërkuar Këshillit të Mandateve të paktën në dy raste – pas sekuestrimit të një aparati Blackberry në vilën e tij në Hamallaj, rezultonte se ka tentuar të ndërhyjë tek dy persona, njëri prej tyre ish-zyrtar i një bashkie në Jug të vendit.

Ata kanë të drejtë që diskutojnë dhe shoqëria do të ketë shumë të drejtë në momentin që shumë emra të tjerë dalin jo vetëm nga kjo dosje, por edhe nga një dosje tjetër për Arben Ahmetajn, nga një tjetër Prokuror i Posaçëm i SPAK për privatizimin e shoqërisë “Buka” për të cilën ish-ministri dhe ish-funksionari i lartë shfuqizoi vendimet e të gjitha Gjykatave, duke i mëveshur vetes rolin e një gjykatësi dhe me një firmë si ministër në atë kohë, e tjetërsoi të gjithë këtë pasuri.

Kjo çështje tashmë gjendet në dorën e një prokurori, i cili në varësi të vendimit që do të marrë Këshilli i Mandateve, edhe ai me shumë mundësi do të shkojë për një kërkesë për masë sigurie në Gjykatën e Posaçme”- tha Hoxha.

Top Channel