Di Canio sulmon ashpër Mbappenë: I paturp, përfiton nga situata

10/07/2023 22:45

Bota e futbollit kërkon të dijë se ku do të luajë Kylian Mbappé në mbyllje të merkatos. Vetë lojtari ka bërë publike se nuk ka ndërmend të rinovojë kontratën e tij përtej 2024, por ka marrë shumë kritika.

Ish-lojtari italian, Paolo Di Canio, e sulmon drejtpërdrejt talentin francez për mënyrën se si i negocion kontratat.

Vitin e kaluar dukej e sigurt se ai do të largohej te Reali i Madridit, por rinovoi me përmirësim të ndjeshëm të pagës.

“Ne mund të gjejmë shumë gabime te PSG-së, por duhet të nënvizojmë edhe paturpësinë e djalit. Është e pahijshme. Ai përfitoi nga situata një vit më parë dhe tani po bën të njëjtën gjë, duke kërcënuar se do të largohet me kosto zero vitin e ardhshëm”, ka thënë Di Canio, për Sky Sports Italia.

“Është turp që Mbappe sillet kështu pasi fitoi 200 apo 300 milionë euro. E di, pa hipokrizi, se të gjithë duan të fitojnë më shumë. Por janë tifozët, klubi dhe nderi që nuk mund t’i blesh as me dy miliardë euro. Ai nuk po respekton asgjë nga këto”, tha Di Canio./ Super Sport

Top Channel