Shkak goditjet në kokë, sëmundja e trurit diagnostikohet për herë të parë tek atletja femër

04/07/2023 18:00

Shkencëtarët australianë thonë se kanë bërë diagnozën e parë në botë të encefalopatisë traumatike kronike (CTE) në një atlete profesioniste.

Studimet mbi sëmundjen degjenerative të trurit, të lidhura me sportet, zakonisht kryhen tek atletët meshkuj.

Diagnoza u vendos në trurin e Heather Anderson, një futbolliste e Australian Rules, e cila humbi jetën vitin e kaluar në moshën 28-vjeçare.

Shkencëtarët thonë se rasti mund të jetë “maja e ajsbergut” për gratë në sport.

CTE shkakton një rrezik në rritje të sëmundjeve mendore dhe gjithashtu është lidhur me demencën, por mund të diagnostikohet vetëm pas vdekjes. Shkencëtarët besojnë se shkaktohet nga goditjet e përsëritura të kokës dhe tronditjet, me një studim nga 13 institucione akademike vitin e kaluar që gjeti “prova përfundimtare”.

Hulumtimet për këtë gjendje janë në rritje vitet e fundit – me më shumë se 300 raste të identifikuara vetëm në futbollin amerikan.

Në Australi, futbollistët e profilit të lartë meshkuj të “Australian Rules”, Danny Frawley, Shane Tuck dhe Polly Farmer u diagnostikuan me CTE, si dhe lojtari i ligës së regbisë, i kthyer në trajner Paul Green.

Por studimi i CTE në yjet e sportit femra ka qenë i kufizuar.

Familja e Anderson i dhuroi trurin e saj Bankës Australiane të Trurit Sportiv (ASBB), me shpresën për të kuptuar më mirë vdekjen e saj.

Ajo luajti tetë ndeshje profesionale në Ligën Australiane të Futbollit të Grave (AFLW). Ajo pësoi disa lëndime gjatë karrierës së saj, duke përfshirë të paktën një tronditje.

Një mbrojtëse e talentuar, ajo ishte e njohur për veshjen e një helmete rozë të ndezur gjatë ndeshjeve para daljes në pension të saj në 2017.

Prof Michael Buckland, bashkëautor i studimit, tha se truri i Anderson kishte tre lezione të qarta, duke përfshirë në pjesë të organit që rregullojnë lëvizjen, zgjidhjen e problemeve, kujtesën, gjuhën dhe sjelljen.

Prof Buckland i tha BBC-së se njerëzit që vuajnë nga CTE shpesh përjetojnë një gamë të gjerë çështjesh të shëndetit mendor dhe se familja e Anderson i kishte thënë atij “në një farë mënyre” gjetjet “kishin shumë kuptim”.

“Depresioni, ankthi, nervozizmi, impulsiviteti, përdorimi i drogës dhe alkoolit, mendimet për vetëvrasje, si dhe veprimet e vetëvrasjes janë të zakonshme”, tha ai.

Në Australi, më shumë se 60 ish-lojtarë të AFL-së po e padisin ligën për deri në 1 miliard dollarë australianë (526,000 £; 668,000 dollarë) në kompensim për dëmin e rëndë që supozohet se u kanë shkaktuar tronditje.

Raste të ngjashme janë nisur edhe në SHBA dhe MB, ku pothuajse 400 lojtarë i janë bashkuar një grupi aksioni .

Top Channel