Presidenti Emmanuel Macron braktisi samitin e Bashkimit Europian në Bruksel, pas situatës së rënduar të protestave të dhunshme pas vrasjes së një 17-vjeçari nga policia.
Ai më pas mbërriti në Ministrinë e Brendshme për një takim krize me kryeministren, Elisabeth Borne, ndërkohë që qeveria bëri një mbledhje urgjente për të gjetur zgjidhje, pas më shumë se tre ditësh trazira.
Lideri francez deklaroi se do të marra masa menjëherë për situatën kaotike, për të cilën I vendosur theksoi se nuk do ta tolerojë në asnjë moment.
“Kjo dhunë e pastër dhe e pajustifikueshme, e cila nuk ka asnjë legjitimitet. Dënoj me vendosmërinë më të madhe të gjithë ata që përdorin këtë situatë dhe këtë moment për të krijuar çrregullim dhe për të sulmuar institutet tona”, tha Macron.
Duke mos u ndalur në shpalljen e një gjendjeje të jashtëzakonshme siç kërkohej nga opozita, Macron u përpoq të vendoste një ekuilibër midis presionit politik për një përgjigje të ashpër dhe frikës për të shkaktuar një reagim akoma më të fortë.
Autoritetet vendosën mbi 40 mijë policë në gatishmëri në të gjithë vendin, ndërsa qindra prej tyre mbetën të plagosur. Nga ana tjetër afërsisht 900 persona janë vënë në pranga, ndërsa të dëmtuara mbetën mijëra makina të djegura dhe ndërtesa.
Linjat e autobusëve dhe tramvajit të rajonit të Parisit mbetën të ndërprera, pasi dhjetëra automjete u dogjën gjatë natës, ndërsa dëmi llogaritet të jetë mbi 8 milionë euro.
Shpallja e një emergjence do t’u mundësonte autoriteteve lokale të miratojnë shtetrrethim, të ndalojnë demonstratat dhe t’i japin policisë më shumë liri në frenimin e rebelëve të dyshuar dhe kontrollimin e shtëpive.
Top Channel