“Nuk jemi perfektë”, Deschamps ul entuziazmin pas kualifikimit: Edhe ne kemi të meta, peng që nuk shënuam më shumë në pjesën e parë

01/07/2026 09:37

Trajneri i Francës, Didier Deschamps, u bëri thirrje gazetarëve të mos e teprojnë me entuziazmin pas fitores bindëse 3-0 ndaj Suedisë, që i siguroi “Gjelave” kualifikimin në fazën e 1/8-ve të finales.

“Gjeni edhe ndonjë të metë, do të ishte mirë. Nuk duhet të jetë gjithmonë gjithçka perfekte”, deklaroi Deschamps pas ndeshjes, duke theksuar se skuadra e tij ka ende vend për përmirësim.

Franca dominoi takimin falë dopietës së kapitenit Kylian Mbappé dhe një goli të Bradley Barcola, ndërsa në fazën tjetër do të përballet me Paraguajin, i cili eliminoi Gjermaninë pas goditjeve të penalltive.

Sipas teknikut francez, skuadra krijoi shumë raste, por mund ta kishte mbyllur ndeshjen shumë më herët.

“Kemi aftësinë të krijojmë raste. I vetmi peng është se nuk shënuam më shumë në pjesën e parë. Mund ta kishim mbyllur ndeshjen më shpejt”, u shpreh ai.

Një nga momentet më emocionuese të mbrëmjes ishte përqafimi i Mbappé me Deschamps pas golit të parë. Trajneri francez ishte rikthyer së fundmi në ekip pasi kishte munguar për shkak të ndarjes nga jeta të nënës së tij.

“Gjesti i Kylian më preku shumë. Ai është kapiteni ynë. Ekipi qëndroi i bashkuar gjatë mungesës sime dhe bëri atë që duhej”, tha Deschamps.

Përballja e ardhshme me Paraguajin i rikthen kujtimet e Botërorit të vitit 1998, kur Franca e Deschamps, atëherë si kapiten, fitoi ndaj paraguajanëve vetëm falë “golden goal” të Laurent Blanc në kohën shtesë.

Megjithatë, trajneri theksoi se nuk u flet lojtarëve për atë sukses historik.

“Shumica e tyre ose nuk kishin lindur ende, ose ishin shumë të vegjël që ta kujtonin atë Botëror. Paraguai është një skuadër e fortë, që eliminoi Gjermaninë. Për të kaluar më tej duhet të luajmë sërish në nivel të lartë”, përfundoi Deschamps.

Top Channel