Gjashtë anëtarë të MEK-ut janë proceduar penalisht për kundërshtim të policisë gjatë kontrollit të ushtruar në kampin Ashraf 3, një ditë më parë.
Burime nga policia e Durrësit bëjnë me dije për Top Channel se deri tani ka nisur procedim penal për gjashtë prej banorëve iranianë të kampit në Manëz të Durrësit për rezistencë ndaj Policisë së Shtetit.
Nën hetim janë shtetasit H.N., 73 vjeç; M.B., 72 vjeç; A.A., 72 vjeç; B.S., 63 vjeç; A.A., 61 vjeç dhe D.F., 70 vjeç.
Policia thotë se 15 efektivë kanë mbetur të lënduar nga dhuna që iranianët kanë ushtruar duke tentuar të pengojnë punën e tyre.
Një ditë më parë, Forcat RENEA, FNSH, Operacionalia dhe uniforma blu kryen një operacion kontrolli në territorin që prej vitesh aksesohej vetëm nga muxhahedinët në kampin Ashraf 3 në Manëz.
Autoritetet shqiptare ishin në kërkim të pajisjeve teknologjike të cilat konsiderohen me vlerë për hetimet që prej kohesh ka nisur SPAK, por kjo nuk u prit mirë nga muxhahedinët. Shumë prej tyre e cenuan shkelje privatësie dhe agresion ndaj personave të pambrojtur dhe refuzuan kontrollin. Ndërsa autoritetet kanë dyshime të arsyeshme se muxhahedinët në Shqipëri po kryejnë veprime operacionale kundër shtetit të Iranit.
Disa prej tyre u organizuan në tubime kundër veprimeve të policisë. Sipas muxhahedinëve, përdorimi i gazit dhe sprajit nga policia solli humbjen e jetës së një personi dhe lëndimit të 36 të tjerëve. Për të sqaruar shkaqet e vdekjes së tij është ngritur një grup hetimor nga policia dhe prokuroria e Durrësit.
Policia e Shtetit dhe Ministria e Brendshme në reagimet e bëra për mediat theksuan se nuk ka jetë të humbura nga ndërhyrja e policisë dhe se të gjitha veprimet ishin konform ligjit duke ruajtur etikën dhe të drejtat e qytetarëve.
Muxhahedinët janë vendosur në kampin MEK në Manzë të Durrësit në vitin 2014.
Top Channel