Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se sot se autoritetet po punojnë që të lirohen policët e rrëmbyer të mërkurën nga forcat serbe.
Kreu i qeverisë së Kosovës ftoi faktorin ndërkombëtar që të dënojnë agresionin e Serbisë.
Kurti tha se javën e ardhshme pritet që ambasadori Jetish Jashari, i cili është shef i zyrës ndërlidhëse në Beograd, t’i vizitojë policët e rrëmbyer.
“Jemi duke bërë çdo gjë që ata të lirohen sa më shpejtë, të pacenuar, ndërkaq në anën tjetër ftojmë faktorin ndërkombëtar që ta dënojnë agresionin e Serbisë me 14 qershor, ku njësitë e tyre ushtarake e policore rrëmbyen policët tanë, njësiti antiterror dhe ai Kobra i ushtrisë, tre policët tanë në Leposaviq, të cilët ndodheshin pikërisht tek një rrugë e mbyllur ilegale e kontabandës. Sipas të gjitha gjasave, në bazë lajmeve që kemi, në fillim të javës që vjen, ambasadori Jetish Jashari, i cili përndryshe është shef i zyrës ndërlidhëse në Beograd do të arrijë t’i vizitojë këta tre policë”, tha Kurti.
I pyetur nga KosovaPress nëse do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga përfaqësuesi i lartë të BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell për takimin në Bruksel, Kurti refuzoi të përgjigjej.
Të mërkurën tre zyrtarë kufitarë u rrëmbyen nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vijën kufitare në veri të Kosovës. Policia ka bërë të ditur se njësia policore ka qenë në detyrë thellë brenda territorit të Kosovës për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale. Tre policëve të rrëmbyer nga forcat serbe të premten (16 qershor) u është shqiptuar masa e paraburgimit. Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Gjermania kanë bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës, të arrestuar në veri nga forcat serbe.
Top Channel