BE i dorëzon Policisë Kufitare pajisje me vlerë 2,4 mln euro, Hohmann: Kjo ndihmon Shqipërinë për Integrimin

13/06/2023 11:27

Pajisje me vlerë 2,4 milionë euro iu dorëzuan Policisë Kufitare dhe Migracionit nga Bashkimi Europian.

Ambasadorja e Delegacionit të BE, Christiane Hohmann, tha se ky projekt dhe gjithë bashkëpunimi me BE-në në tërësi ndihmon në përgatitjet e Shqipërisë për anëtarësim në union.

“Pajisjet e dorëzuara sot nxjerrin në pah bashkëpunimin solid mes BE-së dhe Shqipërisë në fushën e menaxhimit të kufijve dhe luftës kundër krimit të organizuar. Kjo e bën policinë kufitare më të fortë dhe më efektive për të ofruar siguri më të mirë për shqiptarët, si dhe ndihmon në përgatitjen e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. Gjej rastin të falënderoj të gjithë operatorët e vijës së parë për punën e tyre të përditshme dhe të konfirmoj se BE-ja qëndron e përkushtuar t’ju mbështesë në punën tuaj”, tha Hohmann.

Nga Dhërmiu, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, tha se sfida e përbashkët është hapja e kufijve sikundër Shqipëria ka bërë dhe menaxhimi i tyre në mënyrë të sigurt.

Besoj se tashmë të gjithë jemi dëshmitarë të një realiteti krejt tjetër të Shqipërisë, një Shqipëri tërësisht e hapur për lëvizjen e lirë të mallrave,  të njerëzve, dhe sidomos në periudhën e turizmit për të pranuar çdo njeri, që kërkon të kalojë pushimet në Shqipëri”, tha ministri Çuçi.

Çuçi solli në vëmendje bashkëpunimin me FRONTEX si një histori suksesi për të menaxhuar dhe kontrolluar kufijtë e Shqipërisë në mënyrë të sigurtë.

Kur vjen puna për të menaxhuar në mënyrë moderne dhe të sigurtë kufijtë, sigurisht që teknologjia është një përgjigje që besoj unë na jep një siguri dhe garanci më shumë. Kështu që ky projekt ka një rëndësi të jashtëzakonshme për momentin ku Shqipëria është. Besoj se është në një moment shumë të mirë, siç thatë edhe ju zonja ambasadore, ku policia është në një proces të ristrukturimit, reformimit, qoftë strukturor, por qoftë edhe të investimeve në teknologji”, deklaroi ai.

Ai shtoi se Shqipëria është një vend partner i denjë i BE-së për ruajtjen dhe menaxhimin e kufijve gjeografikë të Europës, por edhe në bashkëpunimin mes policive europiane në luftën kundër krimit të organizuar.

Kreu i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, tha gjatë fjalës së tij se vlerësoi ndihmën e partnerëve tanë për Policinë e Shtetit.

Shprehim bindjen se asistenca e ofruar nga BE, SHBA dhe gjithë partnerët e tjerë në fushën e legjislacionit dhe përafrimit të tij me legjislacionin komunitar, asistenca për forcimin e kapaciteteve profesionale dhe logjistikë, asistenca në reformimin e vazhdueshëm në sektorin e sigurisë, si dhe bashkëpunimi çdo ditë dhe më i fortë ndërmjet nesh kanë vijuar ta bëjnë Shqipërinë një vend më të sigurt dhe eksportues të sigurisë në rajon e më gjerë”, tha Rrumbullaku.

Fjala e plotë e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku, gjatë ceremonisë së organizuar në Dhërmi, për dhurimin e pajisjeve të cilat iu dorëzuan Departamentit të Policisë Kufitare dhe Migracionit, nga Bashkimi Europian.

Projekti “Mbështetja e BE-së për menaxhimin efektiv të kufijve të gjelbër dhe detar në Shqipëri”, i cili po mbyllet, është një nga projektet më të rëndësishme për përballimin e sfidave të reja të sigurisë kufitare, siç është emigracioni i parregullt që ka goditur kufijtë e vendeve të rajonit, kriminaliteti ndërkufitar, veçanërisht trafiqet e paligjshme. Me gjithë progresin e dukshëm për forcimin e kapaciteteve logjistike, shoqëruar me rritjen e numrit të punonjësve, në masën 15.5%, gjatë tre vjetëve të fundit, nevoja për pajisje dhe mjete bashkëkohore për mbikëqyrjen e kufirit tokësor dhe atij detar, ishte e dukshme dhe njëkohësisht përbënte një nga rekomandimet kryesore të ekspertëve të Bashkimit Europian. Bashkimi Europian, me financimin e këtij projekti, në vlerën 6 000 000 euro, profesionalizimi i ICMPD-së (Qendrës Ndërkombëtare të Zhvillimit të Politikave të Migracionit), si dhe fleksibiliteti në planifikimin e aktiviteteve mundësoi trajtimin e disa prej nevojave kryesore për pajisje, mjete dhe sisteme, për mbikëqyrjen e kufirit. Këto pajisje dhe trajnimet e zhvilluara në kuadër të Projektit, pa asnjë dyshim, tashmë kanë dhënë rezultatet e para për forcimin e sigurisë së brendshme, por edhe për parandalimin e eksportimin të fenomeneve kriminale, drejt vendeve fqinje. Sistemet e mbikëqyrjes së kufirit dhe trajnimi i personelit për përdorimin e tyre, kanë siguruar kapacitete operacionale për mbikëqyrjen e dy zonave më të nxehta të kufirit shtetëror me Republikën e Greqisë, dhe rezultatet kanë qenë të prekshme që në ditët e para të vënies në përdorim.

2 TVV-të, të pajisura edhe me radarë me rreze 15 km, përveç vlerës së shtuar për mbikëqyrjen e kufirit blu, ofrojnë kapacitete për menaxhimin e situatave të papritura operacionale, si në bregdet, ashtu edhe në thellësi të hapësirës detare. Këto sisteme të pajisura me pajisje të vëzhgimit, me rreze të gjatë, gjatë ditës dhe natës, do të rritin efikasitetin e veprimeve të Departamentit të Policisë Kufitare dhe Migracionit. Kemi dëgjuar dhe kemi lexuar për boshllëqet apo për zonat e pambuluara me mbikëqyrje në hapësirën detare. Radarët e mbikëqyrjes së hapësirës detare, të instaluara dhe të vëna në funksionim, në Tale, Lezhë dhe këtu në Dhërmi, mundësojnë mbikëqyrjen e zonave më problematike, që kanë shërbyer si pikënisje për mjetet e paligjshme të lundrimit. Gjithashtu, sigurimi i aksesit të QNOD-së, në sinjalin e këtyre radarëve, mundëson koordinimin e veprimeve të agjencive që operojnë në hapësirën detare, në përgjigje të situatave operacionale apo operacioneve të kërkim-shpëtimit.

Në kuadër të këtij projekti janë përfituar 5 mjete lundruese, si dhe është bërë rehabilitimi i plotë i gjashtë mjeteve të tjera, duke forcuar dukshëm aftësitë mbikëqyrëse të kufirit detar, aftësitë reaguese të shërbimeve të Policisë Kufitare dhe kapacitetet e kërkim-shpëtimit kurdo të jetë e nevojshme. Njësia e lëvizshme e mirëmbajtjes së mjeteve lundruese, e pajisur me të gjitha mjetet dhe pajisjet e nevojshme, përveç aspektit ekonomik, ka mundësuar dhënien e shërbimeve për mjetet lundruese, në vendin e shërbimit, pa qenë nevoja të transportohen pranë Repartit “DELTA”. Kjo mundëson gatishmërinë operacionale të mjeteve lundruese në çdo kohë, në stacionet ku ato janë të dislokuara. Gjithashtu, janë riparuar 13 automjete me kalueshmëri të lartë, duke u ribërë pjesë e flotës automjeteve për patrullimin e kufirit. Në sajë të mbështetjes së pakursyer të ofruar, nga viti në vit, nga Policia Federale Gjermane, Programi i Kontrollit të Eksporteve dhe Sigurisë Kufitare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe nga donatorë të tjerë, Policia Kufitare tashmë ka një flotë thuajse tërësisht të rinovuar për patrullimin e kufirit dhe për nevoja të tjera.

Trajnimi i punonjësve të Policisë Kufitare, për përdorimin e sistemeve, mjeteve lundruese, radarëve dhe për analizmin e të dhënave që grumbullohen nga këto pajisje bashkëkohore, përbën një vlerë të rëndësishme të kapaciteteve profesionale, për mbikëqyrjen e kufirit shtetëror, kapacitete këto të cilat shtohen çdo ditë. Ndonëse jemi mbledhur për të përmbyllur një nga projektet më të rëndësishme të viteve të fundit, në fushën e forcimit të kapaciteteve logjistike të Departamentit të Policisë Kufitare dhe Migracionit, nuk mund të mos shprehim mirënjohjen për Bashkimin Europian, për mbështetjen në të gjitha fushat. Projekti EU4LEA vijon të ofrojë asistencë teknike dhe ekspertizë për reformat në sektorin e sigurisë, por edhe asistencë logjistike. Padyshim, operacioni i përbashkët me Agjencinë Europiane të Rojës Kufitare dhe Bregdetare, FRONTEX përbën një nga sukseset e shënuara në historinë e kësaj mbështetjeje.

Një falënderim të veçantë e kemi edhe për implementuesin e Projektit, ICMPD (Qendrën Ndërkombëtare të Zhvillimit të Politikave të Migracionit), që me profesionalizmi e punonjësve të saj dhe bashkëpunimin me strukturat e Departamentit të Policisë Kufitare dhe Migracionit, mundësuan implementimin pa pengesa dhe në kohë të këtij projekti. Në përfundim, shprehim bindjen se asistenca e ofruar nga Bashkimi Europian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët e tjerë, në fushën e legjislacionit dhe përafrimit të tij me legjislacionin komunitar, asistenca për forcimin e kapaciteteve profesionale dhe logjistike, asistenca për reformimin e vazhdueshëm në sektorin e sigurisë, si dhe bashkëpunimi çdo ditë dhe më i fortë ndërmjet nesh, vijojnë ta bëjnë Shqipërinë një vend më të sigurtë, dhe eksportues të besueshëm të sigurisë në rajon dhe më gjerë. Ju falemnderit!

Prej këtij projekti Policia Kufitare dhe Migracionit ka përfituar anije patrullimi, automjete vëzhgimi me sistem kamera vëzhgimi ditën e natën, mikrobusë më radarë, servis të lëvizshëm mirëmbajtjeje, si dhe dy radarë për bregdetin, një në Tale të Lezhës dhe tjetri në Dhërmi.

FOTO GALERI
1/12

Top Channel