Një lëkundje tërmeti me magnitudë 4.1 ballë shkalla Rihter ka ndodhur sërish pranë komunës së Atalantit në prefekturën e Fthiotidhas, rreth 100 km në veriperëndim të Athinës.
Epiqendra e tërmetit është regjistruar në orën 13:04 të mesditës të së shtunës 12 km në jugperëndim të Atalantit, në thellësi 17.3 km, njoftoi Instituti Gjeodinamik i Observatorit Kombëtar të Athinës.
Lëkundja e re që është ndjerë edhe në gjithë Atikën, pason tërmetin e fuqishëm prej 4.8 Rihter në të njëjtën zonë ditën e enjte i cili shkaktoi dëme të paktën në tre fshatra të zonës.
Madje deri dje në mbrëmje, ekipet e inxhinierëve nga Drejtoria e Rimëkëmbjes nga Fatkeqësitë (DAEFK) të dërguar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, kanë kryer autopsitë për të vlerësuar dëmet në ndërtesat e prekura, si në shkolla, spitale dhe qendra shëndetësore të zonës.
Nga kontrolli në 120 ndërtesa ,38 janë cilësuar të papërshtatshme për përdorim (6 kisha dhe 32 banesa).
Gjithashtu, janë kontrolluar edhe 3 njësi shkollore të cilat u cilësuan të papërshtatshme dhe u urdhërua të kryheshin riparime.
Sizmologët këshillojnë banorët të mos shqetësohen, duke ndjekur fenomenin me vëmendje dhe duke hedhur poshtë disa zëra që thonë se mund të zgjohet e ashtuquajtura çarje e pllakës së Atalantit, që para disa dekadash ka dhënë tërmete nga 6,7-7 ballë shkalla Rihter.
Top Channel