Ish-prokurorja amerikane Kimberly West është emëruar në postin e kryeprokurores në Dhomat e Specializuara, sikurse quhet Gjykata e Posaçme me seli në Hagë që trajton pretendimet për krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë.

West do të zërë vendin e ish-kryeprokurorit Jack Smith, i cili në nëntor të vitit 2022 u emërua prokuror i posaçëm për hetimet ndaj ish presidentit amerikan Donald Trump.

“Është një nder që jam përzgjedhur në këtë rol të rëndësishëm dhe sfidues”, citon zonjën West një komunikatë e Prokurorisë së Specializuar.

West ka punuar prokurore për më shumë se dy dekada në Shtetet e Bashkuara, ndërsa nga viti 2008 deri në vitin 2013 ka shërbyer si prokurore në Gjykatën Ndërkombëtare për krime luftë në hapësirat e ish-Jugosllavisë, si pjesëtare e ekipit që ndoqi penalisht ish-udhëheqësin e serbëve të Bosnjës Radovan Karaxhiç, për rolin e tij në gjenocidin në Srebrenicë. Po ashtu, ka qenë në ekipin e prokurorëve në trajtimin e krimeve të kryera në Mostar të Bosnjës nga forcat kroate.

West bëhet kryeprokurorja e tretë në Dhomat e Specializuara që u themeluan në vitin 2015 nga parlamenti i Kosovës dhe veprojnë në bazë të ligjeve të saj, por me personel ndërkombëtar.

Themelimi i Gjykatës së Posaçme pasoi pretendimet e ngritura në raportin e vitit 2011 të hartuar nga i dërguari i Këshillit të Evropës, Dick Martty, që përmban akuza ndaj ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për rrëmbime, keqtrajtime, vrasje pa gjyq dhe në disa raste marrje me forcë organesh njerëzore dhe trafikim të tyre nga Shqipëria gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Por kjo çështje nuk është përfshirë në asnjë nga akuzat e deritashme ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata e dënoi me 26 vjet heqje lirie ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sali Mustafa, nën akuzat për vrasje dhe torturë në një qendër paraburgimi gjatë luftës në Kosovë.

Në fillim të muajit prill, nisi procesi gjyqësor kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe tre ish-zyrtarë të lartë politik, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi, të gjithë ish udhëheqës të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nën akzuat për krime lufte dje krime kundër njerëzimit. Ata akuzohen për veprat përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë të personave.

Aktualisht po zhvillohet edhe procesi kundër ish-pjesëtarit të UÇK-së, Pjetër Shala, i akuzuar për veprat penale, ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme gjatë periudhës së luftës në Kosovë.

Që të gjitha i kanë mohuar akuzat, të cilat kanë nxitur reagime në Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999.

Lufta që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s, la pas vetes mbi 10 mijë të vrarë e mijëra të zhdukur, pjesa më e madhe e të cilëve të përkatësisë kombëtare shqiptare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA