Pas vetëm një sezoni në LaLiga 2, Granada siguroi rikthimin në elitën spanjolle duke fituar kampionatin.
Një nga liderët e skuadrës ishte padyshim Myrto Uzuni me sulmuesin e kombëtares që mori përdore skuadrën në rrugën drejt suksesit. Beratasi shënoi plot 23 gola nga 55 në total që shënoi Granada, shifra që faktojnë fare mirë varësinë e ekipit në drejtim të futbollistit shqiptar.
Falë 23 golave të realizuar, Uzuni e mbylli kampionatin në LaLiga 2 edhe si golashënuesi më i mirë i saj teksa tashmë përgatitet për të shkëlqyer në elitë. Madje, mediat prestigjioze të Spanjës kanë nisur ta kenë në vëmendje teksa është e përditshmja AS e cila i ka kushtuar një speciale Granadës dhe organikës së saj.
Kur vjen puna te Uzuni, spanjollët e cilësojnë sulmuesin si një “Killer” që ka realizuar edhe më shumë se emra prestigjiozë të LaLiga-s si Karim Benzema apo Antoine Griezmann dhe është aktualisht në të njëjtën kuotë golash me Robert Levandovskin e Barcelonës.
“Një “Killer” i vërtetë, golashënuesi më i mirë i skuadrës. E bën këtë vetë në vitin e tij të dytë në skuadër, pa lënë mënjan faktin se është asistuesi i dytë më i mirë i Granadës”, shkruan “AS”.
Top Channel