Tre kryetarët e rinj të Leposaviçit, Zubin Potokut dhe Zveçanit do të betohen këtë të enjte.
Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur të mërkurën se, për arsye sigurie, kryetarët e rinj do të betohen në ndërtesa publike në këto komuna, e jo në kuvendet komunale.
Në Leposaviç, kryetari i zgjedhur, Lulzim Hetemi, do ta bëjë betimin në fshatin Bistricë, në objektin e shkollës fillore “Kadri Bistrica”.
Kryetari i ri i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, pritet ta bëjë betimin solemn në fshatin Çabër të kësaj komune, në objektin e zyrës komunale për komunitete.
Ndërsa në Zveçan, kryetari Ilir Peci, do ta bëjë betimin solemn në fshatin Boletin, përkatësisht në shkollën fillore “Isa Boletini”, ku do të konstituohet edhe asambleja e kësaj komune.
Që të tre kanë fituar mandatin për kryetar nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbajtura në komunat veriore të Kosovës më 23 prill. Këto zgjedhje u organizuan pasi Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në vend, në shenjë proteste ndaj vendimit të qeverisë për targat, u largua nga institucionet e Kosovës.
Pjesëtarët e komunitetit serb gjerësisht bojkotuan zgjedhjet e prillit dhe thanë se nuk i pranojnë rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj nga komuniteti shqiptar. Pjesëmarrja në këto zgjedhje ishte 3.47 për qind.
Një javë më parë, kryetari i ri Mitrovicës së Veriut, Erden Atiç, u betua para kuvendit komunal.
Top Channel