Kandidati i koalicionit Bashkë Fitojmë për bashkinë e Himarës, Fredi Beleri që u arrestua nga policia për blerje votash u paraqit në gjykatën e Vlorës këtë të shtunë për t’u njohur me masën e sigurisë së bashku me të ndaluarin tjetër Pandeli Kakoveshi.

Gjyqi ndaj dy të akuzuarve u zhvillua me dyer të mbyllura, ndërsa mori pjesë dhe ambasadorja greke në Tiranë, Konstantina Kamitsi. Gjatë seancës mësohet se Beleri mohoi akuzën. Ai theksoi se në lokalin e tij ndodhej së bashku me të afërmit dhe se lekët nuk i kishte për të blerë vota. Por nga ana tjetër, organi akuzës provoi të kundërtën, bazuar këtu dhe në dëshminë e qytetarit që bashkëpunoi me drejtësinë.

Prova këto që bindën trupin gjykues, që të vendoste masën e sigurisë “arrest me burg” për Fredi Belerin dhe Pandeli Kakoveshin. Ndërkohë dosjen ndaj tyre, gjykata ia kaloi për hetim Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion.

Vendimin e gjykatës avokati mbrojtës i Belerit e quajti si të nxitur politikisht. Sipas avokatit, procesi zgjedhor nuk do të cenohet dhe zgjedhjet do të vijojnë normalisht ditën e nesërme.

“E vlerësuan të ligjshëm arrestin në flagrancë dhe caktuan SPAK-un për kompetencë. Brenda 10 ditëve mbase do bëhet vlefshmëria në SPAK. Këtë i kërkuam Gjykatës, nuk ishte në kushtet e flagrancës por veprime të policisë. Akuzë politike dhe montim politik, kaq për momentin se jemi në seancë. Beleri foli në seancë. Nuk u provua në asnjë moment çfarë tha prokurori, as rezistencën e listave. Ai ishte duke dalë jashtë lokalit. Nuk mund jetë asgjë në flagrancë. Kjo nuk e cenon procesin, përkundrazi e ka forcuar. Njerëzit do të vijnë nesër të votojnë të qetë, nga gjykata prisnim ta vlerësonte të paligjshëm arrestin. Ja kërkuam gjykatës. Brenda 10 ditëve seanca në Tiranë, ai do iki sot në Tiranë. Mbase SPAK do e gjykojë të paligjshme”- u shpreh avokati për mediat.

Të njëjtin qëndrim mbajti dhe kreu i PBDNJ, Vangjel Dule i cili nuk u lejua që të ishte i pranishëm në sallën e gjyqit nga gjykata.

“E kërkon logjika, nga çdo optikë qoftë ajo që të lirohen menjëherë. Mund t’ju them nga ana ime se ishte një vendim i paralajmëruar dhe pasi u ekzekutua vendimi i paralajmëruar, atëherë u përpoqën që të krijojnë edhe kushtet edhe faktet. Kemi një proces parodi”– tha Dule.

Kandidati i dyshes Berisha -Meta u arrestua në kushtet e flagrancës në lokalin e tij në Himarë pasi u kishte premtuar disa personave shuma monetare në këmbim të votave.

Top Channel