Po përgatisnin sulm terrorist, arrestohen 7 vetë në Belgjikë/ Shënjestra, një institucion

05/05/2023 09:19

Belgjika, një nga vendet europiane të përballura më shumë me sulmet terroriste, ka arritur të shmangë një goditje nga mbështetës të grupit militant Shteti islamik.

Prokurorët belgë njoftuan se 7 persona janë arrestuar nën dyshimin se po përgatiteshin të rikthenin hijen e terrorit në këtë vend. Pothuajse të gjithë të dyshuarit janë çeçene dhe tre prej tyre kanë kombësi belge.

“Objektivi i saktë i sulmit të planifikuar, nuk përcaktuar ende”, thuhet në deklaratë. Policia, e mbështetur nga njësi të forcave speciale, bastisi nëntë banesa në disa qytete në pjesën perëndimore të Belgjikës, në një operacion të udhëhequr nga një prokuror i specializuar për rastet e terrorizmit.

“Akuzat e mundshme lidhen me përpjekje për atentat terrorist, pjesëmarrje në aktivitetet e një grupi terrorist dhe përgatitje për një sulm terrorist”, vazhdon deklarata.

Prokurorët nënvizuan se të shtatë të arrestuarit “dyshohen për përgatitjen e një sulmi terrorist në Belgjikë”, dhe se të gjithë ata “i përkasin një grupi mbështetësish të fortë të ISIS-it”.

Një zëdhënës i zyrës së prokurorisë federale, Eric Van Duyse, tha për agjencinë AFP se “dyshohet se të arrestuarit kishin në shënjestër një institucion që ndodhet në Belgjikë” dhe se “në mënyrë aktive po kërkonin te gjenin armë”. Bastisjet e policisë u zhvilluan në Ghent dhe në disa qytete të tjera më të vogla, si Roeselare, Menen, Ostend dhe Wevelgem.

Shteti Islamik mori përgjegjësinë për sulmet vetëvrasëse në Belgjikë më 22 mars të vitit 2016, që kishin si objektiv aeroportin e Brukselit dhe metronë e kryeqytetit. Si pasojë u vranë 32 persona dhe u plagosën qindra të tjerë. Ngjarja ndodhi disa muaj pas sulmeve të nëntorit 2015 në Paris, të planifikuara nga e njëjta celulë e ISIS-it, gjatë të cilave u vranë 130 persona.

Top Channel