Qindra protestues në Armeni kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit që ‘fal territoret’ (fotot)

15/05/2024 19:33

Qindra armenë kishin dalë sot në kryeqytetin Jerevan, në një tjetër protestë kundër qeverisë që kërkon të dorëzojë të tjera territore te Azerbaixhani, pas dëbimit të komunitetit armen nga Nargorno Karabak nga konflikti.

Protesta e drejtuar nga kryepeshkopi Bagrat Galstanyan u mbajt para sallës së operas në kryeqytet, ku gjendej brenda në një konferencë ndërkombëtare kryeministri Nikol Pashinyan.

Protesta të vazhdueshme janë zhvilluar prej muajit të kaluar në vendin e Kaukazeve kur qeveria ra dakord të jepte territore që kishte kontrolluar prej viteve 1990.

Forca të mëdha policore kishin rrethuar sot sheshin qendror par sallës së operas, teksa demonstruesit kërkonin dorëheqjen e kryeministrit

Pashinyan “dorëhiqu, përndryshe Armenia merr fund,” tha protestuesi 54-vjeçar Tigran Balasanyan për rrjetin AFP, duke shprehur zhgënjimin e tij me qeverinë aktuale.

60 vjeçarja Nune Sargsyan, shtoi se administrata e kryeministrit ‘kishte ulur vendin në gjunjë’: “Pashinyan i ka kaluar të gjitha vijat e kuqe, ka bërë vendin të dështojë prandaj duhet të largohet në mënyrë që Armenia të ketë një shans për t’u ngritur nga gjunjëzimi.”

Pashinyan thotë se lëshimet territoriale ndaj Azerbaixhanit janë “për të siguruar paqen” por prej javësh protestuesit kanë bllokuar rrugë dhe kanë demonstruar duke kërkuar largimin e tij.

Galstanyan, lideri karizmatik i protestave, është peshkop i rajonit Tavush, ku disa fshatra pritet t’i jepen Azerbaixhanit, prandaj peshkopi kërkon të nisë një proces ndjekjeje penale ndaj Pashinyan, shkruan AFP.

Partitë opozitare nevojitin mbështetjen e të paktën një partie të pavarur ose në pushtet për të nisur procesin e shkarkimit të kryeministrit që sipas kritikëve po kryen tradhti.

FOTO GALERI
1/5
Galstanyan, lideri karizmatik i protestave, është peshkop i rajonit Tavush, ku disa fshatra pritet t’i jepen Azerbaixhanit

Top Channel