Është konsideruar gjerësisht si “kumbari” i inteligjencës artificiale (AI), por tani, në moshën 75-vjeç, Geoffrey Hinton vendosi të japë dorëheqjen e të largohet nga Google, duke u shprehur se i vjen realisht keq për punën e tij.

Rreziqet e kësaj fushe duket janë shumë më të mëdha nga sa mendohej, madje vetë Hinton i paraqiti ato si “të frikshme”.

 “Për momentin, chatbot-et e AI-së nuk janë më inteligjentë se ne. Por druhem se mund të bëhen së shpejti. Kjo është shqetësuese”, u shpreh Geoffrey Hinton, shkencëtar kompjuterik.

Eksperti sqaroi se edhe mosha e tij ishte një nga faktorët që çuan në marrjen e vendimit për t’u larguar nga gjigandi i teknologjisë. “Unë jam 75 vjeç, kështu që është koha të tërhiqem”, ishte komenti i tij.

Hulumtimet e thelluara të  Dr Hinton ishin hapat e parë që i çelën rrugën sistemeve aktuale të AI si ChatGPT. Por psikologu konjitiv britaniko-kanadez, që është dhe shkencëtar kompjuterik, e bëri të qartë se chatbot-et, së shpejti mund të kapërcejnë nivelin e informacionit që mban truri i njeriut.

“Për momentin, ajo që ne po shohim është sesi GPT-4 për shembull, eklipson sasinë e njohurive të përgjithshme të një individi. Përsa i përket arsyetimit, aty AI nuk është dhe aq mirë, por duke pasur parasysh ritmet e progresit, besoj që do të avancojë shumë shpejt, dhe për këtë, ne duhet të shqetësohemi”, deklaroi Hinton.

Në një artikull të tij për New York Times, iu referua edhe atyre që i quan “palë të këqija”, që mund ta përdorin AI për qëllime jo të mira, dhe ky do të ishte sipas tij, ai lloj skenari makthi, të cilit duhet t`i druhemi.

Top Channel