Rumania zbulon një rrjet sabotimi të koordinuar nga Rusia, tre të huaj nën hetim
Microsoft ka nisur një program të ri për largim vullnetar nga puna, i cili u drejtohet rreth 60 mijë punonjësve në Shtetet e Bashkuara, Kanada, Indi dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Lajmi u konfirmua nga kompania për Agjencinë Franceze të Lajmeve (AFP), vetëm gjashtë muaj pas zbatimit të programit të parë të këtij lloji.
Oferta përfshin vetëm disa kategori punonjësish dhe synon përshtatjen e fuqisë punëtore me nevojat në ndryshim të kompanisë. Në një letër drejtuar stafit, drejtuesja e Burimeve Njerëzore, Amy Coleman, e cilësoi programin si një tjetër mënyrë për të përshtatur organizimin e punonjësve me objektivat e kompanisë, pa përmendur drejtpërdrejt ndikimin e inteligjencës artificiale në strategjinë e saj.
Programi u drejtohet punonjësve deri në nivelin e zëvendëspresidentit, por përjashton disa kategori, përfshirë një pjesë të stafit që punon në qendrat e të dhënave, shitje dhe marketing. Punonjësit që do të pranojnë ofertën do të përfitojnë kompensim me kushte të ngjashme me ato të një largimi nga puna të iniciuar nga kompania.
Microsoft is offering buyouts to around 60,000 employees. Read the memo. https://t.co/8c6XgAiHb8
— Business Insider (@BusinessInsider) October 26, 2026
Sipas Microsoft, pjesëmarrja në këtë program pritet të jetë dukshëm më e ulët krahasuar me atë të programit të mëparshëm, të zhvilluar në prill. Ky i fundit u ofrua për rreth 8,750 punonjës në SHBA dhe u pranua nga afërsisht një e treta e atyre që plotësonin kriteret.
Programi i parë ishte i kufizuar për punonjësit, mosha dhe vitet e shërbimit të të cilëve në kompani arrinin së bashku të paktën 70 vjet. Në korrik, kompania deklaroi se pozicionet e liruara përmes kësaj skeme nuk do të zëvendësoheshin nga inteligjenca artificiale. Për këtë program, Microsoft njoftoi një kosto prej 900 milionë dollarësh.
Microsoft ka vijuar ndërkohë riorganizimin e fuqisë punëtore. Në fillim të korrikut, kompania shkurtoi rreth 4,800 vende pune, ose 2.1% të stafit global, pasi gjatë vitit 2025 kishte eliminuar më shumë se 15 mijë pozicione.
Sipas raportit vjetor, numri i përgjithshëm i punonjësve u ul me 5 mijë gjatë vitit që përfundoi më 30 qershor, duke shënuar rënien e parë të këtij treguesi që nga viti 2016. Në fund të qershorit, kompania me seli në Redmond të shtetit të Uashingtonit kishte rreth 223 mijë punonjës.
Në të njëjtën kohë, gjiganti teknologjik po shton ndjeshëm investimet në inteligjencën artificiale. Vetëm gjatë tremujorit prill-qershor, Microsoft shpenzoi 41 miliardë dollarë, kryesisht për qendrat e të dhënave dhe çipat e nevojshëm për zhvillimin e kësaj teknologjie.
Kompania pritet të publikojë rezultatet financiare për tremujorin korrik-shtator të mërkurën, ndërsa më herët kishte parashikuar që investimet gjatë kësaj periudhe të kalonin 50 miliardë dollarë.
Programi i ri i largimit vullnetar vjen në një kohë kur Microsoft po përpiqet të përshtatë strukturën e saj organizative me prioritetet e reja të biznesit, ndërsa investimet në inteligjencën artificiale dhe infrastrukturën teknologjike vazhdojnë të rriten.
Top Channel