Do të luante sot kundër Fiorentinës, UEFA pezullon për doping polakun që mposhti Shqipërinë

13/04/2023 13:05

Bartosz Salamon, futbollist i kombëtares së Polonisë (titullar në ndeshjen e fundit të Shqipërisë, në Varshavë), është pezulluar nga UEFA për tre muaj.

Ka qenë vetë klubi i Lech Poznanit, ku luan lojtari, që e ka publikuar lajmin në faqen zyrtare.

Bartosz Salamon ka rezultuar pozitiv në testin antidoping të kryer pas ndeshjes së kthimit të 1/8-ve të finaleve të Europa Conference League kundër Djurgarden. Lojtari nuk do të luajë në ndeshjen çerekfinale kundër Fiorentinës.

Bartosz Salamon mori informacion për rezultatin pozitiv të testit antidoping më 4 prill. Prania e klortalidonit, një diuretik i përfshirë në listën e substancave të ndaluara, u zbulua në trupin e tij.

Të martën, klubi kërkoi një test të mostrës B.

Mbrojtësi i kampionëve polakë ka thënë në një deklaratë se është befasuar nga ky rezultat i testit. Në të njëjtën kohë, ai shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me të gjitha autoritetet përkatëse.

Klubi shprehu mbështetjen e tij për lojtarin dhe në të njëjtën kohë caktoi një komision të posaçëm për të sqaruar situatën.

Deri më tani, lojtari nuk ishte pezulluar. Ai luajti në derbin e së shtunës me Warta Poznań (2-0) dhe po përgatitej për një përplasje historike me Fiorentinën në çerekfinale të Conference League.

Pikërisht në ditën e përballjes me skuadrën italiane, UEFA njoftoi pezullimin e Salamonit për tre muaj, duke e penguar kështu që të luajë në ndeshjen e sotme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA