Mitingje masive, dreka e darka me elektoratin, mbështetës të zjarrtë në rrugë me flamuj partiakë dhe kombëtarë, postera të kandidatëve, madje edhe reklama televizive.

Fushata elektorale në Shqipëri ka kaluar disa etapa që nga koha kur vendi nisi të kishte sistemin pluralist, pas rënies së regjimit komunist.

Gjithnjë e më shumë në këto vite, thelbi i fushatave zgjedhore të partive politike në Shqipëri ka qenë afërsia e udhëheqësit me popullin. Qoftë kjo duke shtruar dreka në fshat e ku lideri shijon produktet e zonës, për të treguar se është “i barabartë me popullin” ose që problemet e elektoratit diskutohen “gju më gju me popullin”.

Për të qenë më afër me popullin, udhëheqësit edhe kanë shkuar për të blerë byrekë apo treguar vështirësitë e jetës së tyre për të arritur deri këtu ku janë sot. Madje, politika shqiptare në një periudhë të caktuar aplikoi edhe një metodë fushate të huazuar nga ajo amerikane, siç janë toën holl-et, ku votuesit kanë mundësinë të shprehin shqetësimet e tyre, duke dhëne opinione, por edhe duke pyetur direkt përfaqësuesit e partive politike.

Me kalimin e viteve dhe përparimin e teknologjisë së informacionit, edhe fushata ka ndryshuar. Kohët kur gazetarët niseshin që në mëngjes me një udhëheqës për të shkuar në një vend të largët për të mbuluar fushatën e tyre, duken të largëta. Tashmë çdo gjë është e përqëndruar në internet. Livestream nga liderët, prezantim kandidatësh, qarjen e halleve të popullit me përgjigjen e pyetjeve që lihen nga publiku në komente, sponsorizimin e postimeve në rrjetet sociale e deri te podcastet.

Ajo që mund të thuhet me siguri është se të bërit fushatë elektorale në Shqipëri ka ndryshuar. Jo se partitë politike nuk lidhen me elektoratin e tyre, por mënyra se si ato lidhen është tashmë më shumë nëpërmjet internetit.

Top Channel