Burri i ve i prezantueses së BBC që vdiq nga vaksina Covid-19, padit AstraZeneca me të afërmit e 75 e lënduarve (fotot)

11/04/2023 17:00

Bashkëshorti i një prezantueseje të rrjetit BBC që vdiq nga komplikacionet e vaksinës AstraZeneca po padit gjigantin farmaceutik bashkë me të afërmit e 75 viktimave të tjera që janë lënduar rëndë ose kanë humbur jetën nga injeksioni.

Nëna e një fëmije Lisa Shaw, 44 vjece, vdiq nga tromboza e shkaktuar prej vaksinës në maj 2021, një javë pas injeksioni të parë. Ajo punonte për degën rajonale BBC Radio Newcastle.

Avokatët e bashkëshortit të saj Gareth Eve, kanë dërguar dokumentet e protokollit te AstraZeneca bashkë me rreth 75 njerëz të tjerë që thonë se të afërmit e tyre kanë vdekur ose janë lënduar përjetë prej vaksinës.

Gareth Eve thotë se ka rreth dy vjet që përpiqet të bëjë autoritetet qeveritare të pranojnë atë që i ka ndodhur gruas së tij Lisa por tani beson se ‘nuk ka alternativë’ përveç veprimit ligjor.

Zoti Eve, i cili është i vaksinuar, thotë se ka humbur njeriun e tij më të dashur, por neglizhenca e autoriteteve për të pranuar fajin e bën të ndjehet sikur vdekja e gruas është “një sekret i padëshiruar për të”.

“Kjo nuk ka të bëjë me Covid, dhe as me jetët që mund të ketë shpëtuar vaksina, por ka të bëjë me atë që i bëri Lisës dhe familjeve të tjera që ka lënduar”, thotë ai për rrjetin BBC.

Zoti Eve ka kërkuar veprim ligjor prej dy vjetësh prej dështimit të takimeve me zyrtarët qeveritarë, asnjë prej të cilëve nuk ka pranuar ta dëgjojë.

Ai përsëriti se pretenduesit e lëndimeve nga vaksina nuk janë të çmendur dhe as teoristë konspiracioni, por anëtarë familjeje që kanë humbur njerëz të dashur.

Ai shton se padia e tij kërkon të tërheqë vëmendjen te ajo që vaksinimi i bëri gruas së tij  Lisa dhe familjeve të tjera, pasi ka përcaktuar zyrtarisht se vdekja u shkaktua nga vaksina AstraZeneca kunder Covid.

Ai shton se kompensimi nuk ka të bëjë me financat pasi asnjë sasi parash nuk do të rikthejë nënën e djalit të tij.

Paditësit kërkojnë dëmshpërblim bazuar në ligjin e mbrojtjes së konsumatori dhe në faktin se vaksina ishte një produkt defektoz dhe i pasigurtë.

Qeveria britanike ka thënë se nëse një person lëndohet rëndë si rezultat i vaksinimit ndaj sëmundjeve përfitojnë një pagesë të vetme prej 120,000 paundë.

Vaksina Oxford-AstraZeneca u aprovua fillimisht në Britani në dhjetor 2020.

Zonja Shaw vdiq nga sëmundja e lidhur me vaksinën që shkakton enjtje të trurit dhe gjakderdhje, në maj 2021.

Kompania AstraZeneca ka thënë më parë se kryen teste rigoroze për mjekimet dhe vaksinat, dhe se “simpatia e tyre është me të prekurit nga efektet e padëshiruara”.

FOTO GALERI
1/3
Bashkëshorti i një prezantueseje të rrjetit BBC që vdiq nga komplikacionet e vaksinës AstraZeneca po padit gjigantin farmaceutik

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA