Aksident i rëndë në Bulqizë/ Furgoni “fluturon” 100 metra poshtë rrugës, plagosen të miturit (Pamje)

06/04/2023 16:14

Një aksident i rëndë ka ndodhur në Bulqizë, ku furgoni i cili transportonte personat që mblidhnin krom, ka dalë nga rruga.

Si pasojë e përplasjes janë plagosur pesë pasagjerët dhe shoferi, të cilët ndodhen në spitalin e Bulqizës jashtë rrezikut për jetën. Njëri prej tyre është nisur drejt Tiranës.

Burimet për Top Channel bëjnë me dije se mjeti ka rënë nga një lartësi prej 100 metrash, ndërsa të plagosurit janë nga mosha 16-19 vjeç. Ata kanë qenë duke mbledhur krom në stogjet e zonës së parë dhe më pas do ta shisnin.

Sipas uniformave blu dyshohet se drejtuesi i furgonit me iniciale Xh. S. ka humbur kontrollin e mjetit dhe ka dalë nga rruga.

“Rreth orës 15:20, në aksin rrugor rural që lidh qytetin e Bulqizës me zonën e antenave, shtetasi Xh. S., duke drejtuar automjetin (furgon), ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe automjeti ka dalë nga rruga. Për pasojë, kanë mbetur të dëmtuar, jashtë rrezikut për jetën, drejtuesi i automjetit, shtetasi Xh. S., si dhe shtetasit E. P., A. C., Xh. P., E. D. dhe B. V. (pasagjerë në këtë furgon)”, njofton policia.

Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili po punon për zbardhjen e rrethanave të këtij aksidenti.

Top Channel