Histori motivuese/ 30-vjeçari i paralizuar mëson të ecë përsëri dhe bëhet trajner personal

30/03/2023 14:24

Një 30-vjeçar nga Hayling Island, Hampshire u përfshi në një aksident me motoçikletë dhe mbeti i paralizuar nga beli e poshtë. Doktorët nuk i dhanë shpresa duke i thënë se nuk do mund të ecte më kurrë.

Megjithatë, 30-vjeçari ka sfiduar mjekët, ku përveçse u shërua plotësisht, ai është bërë një trajner personal i licencuar.

Pas aksidentit në 2021 Majk i kaloi gjashtë muajt e parë në spital ndërsa priste të shkonte në një qendër rehabilitimi të shtyllës kurrizore, duke u përballur me një sërë problemesh gjatë qëndrimit të tij. Plagët e tij ishin të infektuara dhe shufrat në shpinë iu këputën. Kështu trajtimi i tij u bë mjaft rraskapitës dhe mjaft i gjatë.

Kur u përmirësua nga gjendje e tij shëndetësore, Majk i vërtetoi mjekësisë se falë pajisjeve ndihmëse dhe fizioterapisë mund të bënte hapat e tij të para pas aksidentit.

“Një nga qëllimet e mia më të mëdha ishte të isha në gjendje të shkoja vetëm përsëri banjë pa përdorur një kateter dhe për mua kjo do ishte një arritje e madhe. Përmes stërvitjes dhe dëshirës për të ecur, ndjenja filloi të kthehej në këmbët e mia, gjë që ishte e çmendur dhe më pas kuptova se isha në gjendje të qëndroja në këmbë dhe të ecja për periudha të shkurtra kohore”, ka thënë Majk.

Këto arritje e nxitën atë të riaplikonte për licencën e tij të trajnimit personal dhe ai u bë i pari që përfundoi kursin në një karrige me rrota.

Ai tani shpreson të përdorë përvojën e tij gjatë periudhës që ishte i paralizuar për të ndihmuar në trajnimin e njerëzve të tjerë në një situatë të ngjashme dhe për t’u dhënë atyre shpresën e re që u nevojitet për t’u rikthyer në këmbë.

“Kur isha në rehabilitimin e shtyllës kurrizore, të gjithë në repart po kalonin një kohë jashtëzakonisht të vështirë pasi secili ishte i prekur nga një lloj paralize. Partnerja ime, Emma-Jane, 29 vjeç me të vërtetë më ka nxjerrë nga zona ime e rehatisë dhe gjithmonë më ka sfiduar të kaloj atë që mendoja se ishin kufijtë e mi”, ka thënë Majk.

Ai përmend edhe mbështetjen dhe përkushtimin e madh të familjes së tij pa të cilët nuk do mund t’ja kishte dalë dot mbanë.

“Mund të mos kthehem kurrë në 100% dhe ende të kem nevojë për karrigen time me rrota kur stërvitem, por unë kam arritur deri këtu dhe jam shumë krenar”, ka përfunduar Majk.

 

Top Channel