Ministrja Sala në Spitalin Memorial të Fierit: Së shpejti dy shërbime të reja, Kardiokirurgjia dhe Kabineti i Kimioterapisë Ditore

30/05/2026 15:49

Në Spitalin Memorial Fier do të ngrihen dy shërbime të reja, të cilat shënojnë një fazë të rëndësishme zgjerimi të kapaciteteve të tij mjekësore, Kardiokirurgjia me ekip të përbashkët turk–shqiptar dhe Kabineti i Kimioterapisë Ditore, duke rritur ndjeshëm aksesin dhe cilësinë e trajtimeve të specializuara për pacientët.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, prof. Evis Sala, në fjalën e saj gjatë ceremonisë së 5-vjetorit të themelimit, vlerësoi rolin dhe funksionimin e Spitalit Memorial si një model suksesi, profesionalizmi dhe besimi në shërbim të mijëra qytetarëve të jugut, ndërsa bëri me dije se tashmë do të shtohen shërbime të rëndësishme si kardiokirurgjia dhe onkologjia, duke përfaqësuar një hap të mëtejshëm në forcimin e kujdesit shëndetësor të specializuar në vend.

Sot Memoriali po hyn në një fazë të re zhvillimi. Po punojmë për ngritjen e shërbimit të kardiokirurgjisë me ekip të përbashkët shqiptar dhe turk, duke sjellë një tjetër standard të avancuar shërbimi për qytetarët tanë.

Po zgjerojmë aksesin në trajtimin onkologjik përmes kabinetit të kimioterapisë ditore, duke ofruar kujdes më pranë pacientëve dhe familjeve të tyre”, deklaroi ministrja Sala.

Gjithashtu, Ministrja tha se paralelisht po punohet për forcimin e bashkëpunimit me Universitetin e Mjekësisë së Tiranës, duke rikthyer dimensionin universitar të institucionit dhe duke krijuar mundësi të reja formimi për mjekët e rinj dhe specializantët.

Duke vlerësuar modelin e Spitalit Memorial, ministrja Sala tha se po ndërtohen themelet e një sistemi spitalor më të qëndrueshëm përmes kostifikimit të shërbimeve, zgjerimit të bashkëpunimit me palët e treta, përfshirë siguracionet private, si dhe përmes dixhitalizimit të plotë të proceseve spitalore.

Spitali Memorial Fier shënon 5-vjetorin e hapjes këtë vit. Spitali u inaugurua në vitin 2021 si pjesë e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Turqisë.

Memoriali është institucioni i parë spitalor ku u implementua Karta e Autonomisë Menaxheriale dhe Financiare, e cila ka sjellë një model më modern dhe efikas administrimi.  Kjo reformë ka ndikuar në rritjen e transparencës, forcimin e përgjegjshmërisë dhe përmirësimin e menaxhimit të burimeve, duke i dhënë spitalit më shumë mundësi për të zhvilluar shërbime cilësore dhe për t’iu përgjigjur më mirë nevojave të pacientëve.

Top Channel