Qendra Evropiane për Shtyp dhe Lirinë e Medias dënon sulmin me një viktimë në Top Channel, thirrje autoriteteve për profesionalizëm

27/03/2023 10:12

Qendra Evropiane për Shtyp dhe Lirinë e Medias ka dënuar ashpër sulmin me armë zjarri në ambientet e Top Channel, ku fatkeqësisht ka mbetur viktimë një prej rojeve të sigurisë.

Përmes një mesazhi në Twitter, ECPMF i shpreh ngushëllimet familjes së 60-vjeçarit Pal Kola, si dhe bënë thirrje autoriteteve shqiptare të kryejnë hetime të pavarura dhe profesionale.

“Të shokuar kur mësuam se ka pasur një sulm me armë zjarri në ambientet e Top Channel në #Shqipëri , nga ku ka mbetur i vrarë një roje sigurie në objekt. Ne i shprehim ngushëllimet tona familjes dhe u bëjmë thirrje autoriteteve shqiptare të kryejnë hetime të pavarura dhe profesionale”- shkruan Qendra Evropiane për Shtyp dhe Lirinë e Medias.

Top Channel është përballur me një situatë të rëndë mesnatën e së dielës, ku është qëlluar me armë zjarri në drejtim të godinës nga persona ende të paidentifikuar. Roja i sigurisë, Pal Kola humbi jetën, pasi u qëllua me armë rreth orës 01:00, në rrethana ende të paqarta.

Në autostradën e Kavajës, tek vendi i quajtur “Përroi i Agait” është gjetur një mjet i djegur tip “Range Rover”, i cili dyshohet se u përket autorëve. Sipas informacioneve, targat e mjetit rezultojnë të vjedhura.

Policia është në vendngjarje, ndërsa grupi hetimor vijon punën  për zbardhjen e rrethanave.

Top Channel