“Ohri”/ Vuçiç kërkon Asociacionin: Nuk bëhet fjalë për anëtarësim të Kosovës në OKB dhe as për njohje nga Serbia

21/03/2023 16:58
Foto Ilustruese

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç në përfundim të takimit me ministrin italian Antonio Tajani ka ritheksuar se iu qëndron deklaratave të bera në Bruksel dhe Beograd kur bëhet fjalë për marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Megjithatë, sipas tij, në marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë “nuk bëhet fjalë për anëtarësim në OKB dhe as për njohje”.

Vuçiç ka thënë se nuk mendon që Kosova do ta përmbushë obligimin, që është formimi i Asociacionit. Sipas tij, nuk bëhet fjalë për njohje të Kosovës nga Serbia ose anëtarësim në Kombet e Bashkuara, por për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën, shteti i tij është i gatshëm t’i zbatojë.

“Të tjerat që kanë të bëjnë me marrëdhënie normale mes serbëve dhe shqiptarëve, pa tensione, Serbia do t’i zbatojë, e nëse do t’i zbatojë dikush tjetër, ne do të shohim”, citohet të ketë thënë më tej Vuçiç.

Vlen të theksohet se, në takimin në Ohër të Maqedonisë së Veriut më 18 mars, Kosova dhe Serbia u pajtuan për Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve mes tyre. Megjithëse presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk nënshkruan asnjë dokument në Ohër, ndërmjetësuesit evropianë thanë se presin që palët të zbatojnë gjithçka për të cilat u pajtuan liderët.

Marrëveshja, që njihet edhe si propozimi evropian, kërkon nga Beogradi që të mos e pengojë Kosovën të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare. Sakaq, mediat serbe shkruajnë se Tajani ka thënë se “Italia dëshiron të jetë protagoniste në Ballkanin Perëndimor”.

Presidenti serb ka kujtuar se Serbia nuk ndan të njëjtin mendim me, Italinë sa i përket Kosovës.

“Për Italinë Kosova është shtet i pavarur, për ne nuk është, por është detyra jonë të flasim dhe të ruajmë paqen dhe stabilitetin”, citohet të ketë thënë Vuçiç.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA